Delawie: Korrupsioni po minon besimin e publikut në Qeveri

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 12:55 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Korrupsioni minon besimin e publikut në Qeveri, kurse luftimi i tij nuk është i lehtë. Për këtë duhet të punohet çdo ditë.

Kështu ka thënë ambasadori i ShBA-së, në Kosovë Greg Delawie në prezantimin e projektit të USAIDI-it, “Komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse”, duke pohuar se ka ardhur koha që të punohet së bashku në mënyrë që prokurimi publik të jetë më transparent.

Delawie ka pohuar se një vendim i një zyrtari publik për shkak të nepotizmit e ul besimin e qytetarëve në çdo vendim tjetër që ky i fundit e merr, raporton Ekonomia Online.

“Korrupsioni minon besimin e publikut dhe besimin e tij në Qeveri. Ky besim është thelbësor për çdo gjë që Kosova dëshiron ta përmbush, forcimin e sundimit të ligjit, rritjes së ekonomisë, tërheqjen e investimeve të huaja, dhe vazhdimin e rrugëtimit drejt integrimit evropian. Të gjitha këto gjëra varen nga puna e përbashkët me njerëzit tuaj si dhe varet nga besimi i publikut sepse qeverisja është marrëveshje shoqërore dhe ky besim duhet të mbahet i shenjtë për çdo ditë. Standardet janë të mëdha një vendim i keq nga një zyrtar publik për shkak të nepotizmit apo diçka tjetër do ta minojë çdo vendim që ai e merr për qytetarët”, ka thënë Delawie.

Kurse duke folur për projektin e USAID-it, Delawie theksoi se kryetarët e të gjitha komunave kanë shprehur vullnet politik për të bërë ndryshime pozitive dhe kanë përkrahur këtë nismë.

Sipas tij ka ardhur koha për të punuar së bashku për ta bërë prokurimin publik më transparent, me kosto më efikase si dhe çka është më e rëndësishme më të përqendruar për t’i përmbushur nevojat dhe prioritetet e qytetareve.

Me këtë projekt po lëvizim në atë që ka të bëjë me rritjen e besimit të qytetarëve në institucione, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi.

Sipas tij ky projekt do të jetë forcë kohezive e të gjitha institucioneve tona përballë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Katër faktorë që ky projekt do t’i bëjë bashkë janë e para vullneti politik që ne të jemi transparent, të jemi efikas dhe të jemi llogaridhënës përballë qytetarëve tonë . Vullneti politik duhet të shprehet në radhë të para nga subjektet politike, nga të zgjedhurit e popullit dhe nuk duhet të harrojmë atë thënien që qytetarët tonë e vejnë një kontratë shoqërore të zgjedhurit e tyre me qytetarët që të kontribuojnë për mirëqenien e tyre. Po ashtu them se duhet të lidhet me legjitimitetin dhe legjitimiteti nuk ka të bëjë vetëm me ditën që zgjidhemi ne por ka të bëjë me katër vitet e ardhshme që të punojmë në përputhje me pritjet e tyre”, ka thënë ai.

Kurse kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ky projekt përmban dy fakte atë të ndërlidhjes së institucioneve të nivelit lokal me nivelin qendror dhe në nivelin qendror në OShP dhe KRrPP.

“Ajo çka besohet se transparenca, llogaridhënia apo lufta ndaj korrupsionit mbetet si shtyllë e veçantë është gabim, është një proces vendimmarrës i cili duhet të integrohet në të gjitha shtyllat tjera të vendimmarrjes. Nuk është transparenca pjesë e trajtimit të veçantë, është pjesë e trajtimit të përfshirë në qeverisjen e përditshme. Çdo ditë është përpjekje për transparencë për llogaridhënie. Lufta ndaj korrupsionit apo transparencës është sikurse bërja e tushit duhet ta bësh çdo ditë nuk mund ta mbajmë për të garantuar se kemi vendosur një sistem por duhet të punojmë në atë sistem”, ka pohuar ajo.

Projekti “Komunat transparentë, efektive dhe llogaridhënëse do të angazhohet në 38 komuna në mënyrë që ato të jenë më të angazhuara në përpjekjet kundër korrupsion, me mbështetje të theksuar në komunat në fokus si në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Vushtrri.

Të ngjashme