Delawie: Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare (Live)

Prishtinë | 29 Qer 2018 | 20:30 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, tha se është viti që Kosova duhet të tejkalojë dallimet me Serbinë. Ambasadori amerikan tha se ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Kryediplomati amerikan në Kosovë i bëri deklaratat gjatë ceremonisë së shënimit të 242-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, mbajtur në Prishtinë.

“Vetëm kjo i hap Kosovës rrugën e integrimit”, tha Delawie.

“Ju ende vuani nga mosnjohja e shtetit, pasojat vërehen sidomos në aspektin ekonomik dhe në investime, ju nuk do të mund të bashkoheni në NATO ose EU pa normalizuar marrëdhëniet me Serbinë”, theksoi ambasadori Delawie.

Ai porositi partitë politike në Kosovë se duhet të arrijnë një konsensus sa i përket dialogut me Serbinë.

Ndërsa nuk ka pa përmendur se luftimi i korrupsionit mbetet problemi më madhor i Kosocës.

Në gostinë e organizuar për shënimin e Ditës së Pavarësisë së ShBA-së ka marrë pjesë dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi: Kosova është e bekuar me mbështetjen e pa rezervë të SHBA-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së.

Presidenti Thaçi ka thënë se në Kosovë, festimi i 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, është gjithmonë një ngjarje e veçantë dhe emocionale.

“Shumë bashkëqytetarë e kuptojnë dhe festojnë këtë ditë, sikur të ishte festë shtetërore e Kosovës. Kjo ndjenjë është e kuptueshme për kosovarët, për popullin dhe shtetin me pro-amerikan në Evropë dhe më gjerë”, ka thënë Presidenti.

Sipas tij, liria e jonë, vlerat e tona, janë të mishëruara me ato të popullit amerikan. Kreu i shtetit ka theksuar se modeli amerikan i ndërtuar mbi lirinë individuale, bashkëjetesën ndërmjet popujve dhe komuniteteve të ndryshme, ndarje të pushteteve dhe llogaridhënie, sundim i rendit dhe ligjit janë vlera tashmë universale të shteteve demokratike anekënd botës.

“Kosova ka pranuar këto vlera dhe me përkushtim po punon për të arritur qëllimin tonë strategjik për tu bërë pjesë e BE-së, NATO-s, dhe pse jo, edhe pjesë e OKB-së”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se Kosova është në rrugë të duhur për ta arritur këtë qëllim, por se thellimi i reformave në vendin tonë, në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, ekonomisë, edukimit, shëndetësisë, do ta lehtësoj këtë rrugëtim.

Sipas tij, pengesa kryesore në këtë rrugëtim, mbetet domosdoshmëria e arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Pikërisht kjo domosdoshmëri, e bënë këtë dialog të pashmangshëm dhe vendimtar për të ardhmen tonë euro-atlantike”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se ky qëllim madhor, kërkon përgjegjësi nga të gjitha institucionet shtetërore, partitë politike parlamentare dhe shoqëria civile.

Ai ka thënë se Kosova është e bekuar që njësoj sikur në çdo proces të rëndësishëm deri më tani, ka pasur mbështetjen e pa rezervë të SHBA-së, të BE-së, dhe të të gjithë partnerëve tanë, të cilët duan ta shohin Kosovën dhe rajonin në paqe të përhershme.

“Prandaj nuk ka mënyrë më të mirë për ne, që ndihmën e çmuar që në vazhdimësi e marrim nga miqtë tanë, ta respektojnë duke punuar për paqen, fqinjësinë e mirë si parakushte të domosdoshme për integrime euro-atlantike” ka theksuar presidenti Thaçi.

Në fund, presidenti Thaçi në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, uroi popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë, dhe rikonfirmoi zotimin për ruajtjen e marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësinë e përhershme dhe aleancën tonë në vlerat dhe parimet që na bashkojnë.

Të ngjashme