Delawie mirëpret punën e Komisionit për Matjen e Territorit

Prishtinë | 23 Shk 2017 | 20:00 | Nga

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, e ka mirëpritur punën profesionale të Komisionit për Marrëveshjen e Demarkimit të Kufirit, i cili ka konstatuar se Kosova nuk humb territor nga marrëveshja me Malin e Zi. Nga ana tjetër, ai ka dënuar kërcënimet drejtuar zyrtarëve publikë rreth votës së tyre për Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Mirëpres punën profesionale të Komisionit për Marrëveshjen e Demarkimit të Kufirit dhe dënoj çdo kërcënim drejtuar zyrtarëve publikë rreth votës së tyre për Marrëveshjen e Demarkacionit. Kjo është e papranueshme në demokraci”, ka shkruar Greg Delawie në profilin e tij në “Tweeter”.

Sipas draft-raportit të Komisionit qeveritar për Matjen e Territorit Kosova nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Sipas të gjeturave të draft-raportit, Kosova ka një territor prej 10 905 kilometrash katrorë.

Opozita në Kosovë, por edhe ekspertë dhe deputetë edhe të pozitës nuk pajtohen me vijën e caktuar kufitare me Malin e Zi.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, Komisionin qeveritar e quajti joserioz dhe jokompetent.

Marrëveshja e demarkacionit doli para deputetëve, por u tërhoq më 1 shtator 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme