Delawie: Nga luftimi i korrupsionit varet dhe liberalizimi i vizave

Prishtinë | 09 Dhj 2017 | 18:55 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e programit trajnues “TechCamp Kosova: Luftimi i Korrupsionit në Ballkan”.

Në fjalën e mbajtur para rreth 60 pjesëmarrësve nga Kosova e shtete të rajonit, Delawie ka theksuar se çdo ambicie e qytetarëve të Kosovës varet nga luftimi i korrupsionit – përfshirë liberalizimi i vizave, raporton Ekonomia Online

Ambasada Amerikane në Kosovë e ka organizuar një program dyditor të trajnimit të quajtur “Kampi teknologjik në Kosovë: Luftimi i korrupsionit në vendet e Ballkanit”, në partneritet me Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK) si implementues lokal.

Tema e programit ishte zhvillimi dhe shfrytëzimi i teknologjive të lira dhe të hapura të informacionit për ta rritur transparencën dhe luftimin e korrupsionit. Gjithashtu do të ndahen grante të vogla për përkrahjen dhe realizimin e ideve më të mira.

Delawie rikujtoi se Ambasada e ShBA-së i ka mbështetur dhe një sërë aktivitetesh të tjera të organizuara në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” dhe tregoi pse e kanë bërë këtë.

“Luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë top prioritete për Kosovën. Gjithçka varet nga kjo: zhvillimi ekonomik, arsimimi, liberalizimi i vizave. Çdo ambicie e qytetarëve të Kosovës varet nga luftimi i korrupsionit”, tha Delawie.

Ai tha se nevojiten zgjidhje inovative dhe përkushtim nga e gjithë shoqëria, sikurse dhe Qeveria, për të trajtuar këtë problem të madh.

“Teknologjia ka potencial të madh në këtë luftë, mund ta rrisë transparencën, lidh publikun me informacionet, rrëzon barrierat mes Qeverisë dhe qytetarëve dhe redukton mundësitë për korrupsion”, theksoi Delawie.

Për pjesëmarrësit e trajnimit, që ishin përfaqësues nga shoqëria civile, gazetarë, sektori publik i fokusuar në luftën kundër korrupsionit etj., janë ndarë certifikata.

Të ngjashme