Delawie: ShBA e konsideron thikë pas shpine zhbërjen e Gjykatës Speciale

Prishtinë | 22 Dhj 2017 | 20:04 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë në hollin e parlamentit të Kosovës se nëse zhbëhet Gjykata Speciale, atëherë SHBA-të do ta cilësonin këtë si thikë pas shpine dhe një hap i tillë do ta izolonte përfundimisht Kosovën.

“Jam këtu në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës pasi ekziston një iniciativë dhe përpjekje për të zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale”, pohoi Delawie, raporton Klan Kosova.

“Dua ta bëj shumë të qartë, që ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojmë çfarëdo përpjekje për ta zhbërë ose ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale”.

“Më duhet ta them se jam shumë i zhgënjyer që kjo gjë erdhi nga askund në këto ditët e fundit, pa kurrfarë debati publik për këtë çështje thellësisht të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Kjo është e turpshme nga këndvështrimi im”.

“Nëse kjo iniciativë do të ketë sukses, atëherë do të ketë edhe implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Europës. Do të konsiderohet nga SHBA si thikë pas shpine, Kosova do të zgjedhë izolimin, në vend të bashkëpunimit dhe e urrej ta them se do të kthehet ora prapa për Kosovën”.

“I thërras liderët e Kosovës që të na ndihmojnë ta rrëzojmë këtë çështje. Duhet të gjithë të mendojnë për shtetin dhe dy milionë qytetarët e Kosovës”.

Ai në fund ka thënë se i tërë subjektiviteti i shtetit të Kosovës konsiston në atë se në arenën ndërkombëtare është bërë e ditur që Kosova drejtësisht do të merret me ata që potencialisht kanë kryer krime dhe një devijim nga kjo rrugë nënkupton edhe rishqyrtim të aleancës të SHBA-së me Kosovën.

“Mbështetja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës ishte ndërtuar mbi idenë se drejtësia në Kosovë do të merrej me individët që kishin kryer krime lufte. Luhatja nga këto zotime do të ketë implikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhënien me SHBA-të”.

Të ngjashme