Delegacioni i BE-së për vizat skanoi sundimin e ligjit

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 08:27 | Nga

Grupi Punues për Vizat (COWEB) i Këshillit të Bashkimit Evropian ka qëndruar të martën dhe të mërkurën në Kosovë dhe ka vëzhguar nga afër progresin e institucioneve kosovare në sundimin e ligjit dhe të çështjeve të tjera që lidhen me liberalizimin e vizave.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, pas takimit të përbashkët me anëtarët e këtij grupi ka thënë se ajo e ka informuar delegacionin për angazhimet e deritashme për liberalizimin e vizave, si dhe për hapat e mëtejmë për këtë proces.

“Ne me përkushtim të plotë kemi kryer detyrat tona sa i takon liberalizimit të vizave, duke vënë prioritet nacional edhe procesin integrues”, ka theksuar ministrja Hoxha, duke shtuar se pret që këtë vit të merret vendimi për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ka thënë se opozita kosovare i ka thënë jo liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në një postim në “Facebook”, pas takimit me Grupin Punues nga Bashkimi Evropian, Hoxhaj ka thënë se sjellja e përfaqësuesve të opozitës ka qenë për keqardhje, shkruan “Zëri”.

“Opozita sot hapur ka dalë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është për keqardhje sjellja e përfaqësuesve të disa partive opozitare në takimin me diplomatët e shteteve anëtare (COWEB) që po e vizitojnë Kosovën për herë të parë. Liberalizimi i vizave nënkupton liri udhëtimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarët e opozitës. Lajmi i mirë nuk do të vonojë me gjithë agjendat dashakeqëse të një pjese të politikës në Kosovë”, ka shkruar Hoxhaj.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme