Delegacioni i Kosovës është nisur sot drejt Washingtonit për takimin e 4 shtatorit

Prishtinë | 31 Gus 2020 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Delegacioni i Kosovës që do të përballet me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë në një takim ku i pranishëm mund të jetë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është nisur mëngjesin e ditës së sotme për në Uashington.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm delegacioni i Kosovës i përbërë nga tetë persona është nisur drejt Uashingtonit, ku me datë 4 shtator do të përballet me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin amerikan është përfolur se mund t’i pajtojë shtetet deri në marrëveshjen përfundimtare, ani pse një gjë të tillë e kanë kundërshtuar në vazhdimësi në Serbi.

Në Qeveri të Kosovës kanë thënë për Gazetën Express se ekipi është nisur sot në mëngjes, duke dhënë detaje dhe për emrat që kanë udhëtuar drejt Uashingtonit.

“Janë nisur sot në mëngjes. Në ekip janë kryeministri Avdullah Hoti, dy zëvendëskryeministrat, Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj-Halimaj, Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi dhe koordinatori i Kosovës në dialog, Skënder Hyseni”, bëjnë të ditur në Qeveri.

Shefi i ekzekutivit në Shtetet e Bashkuara ka udhëtuar vetëm me partnerët e koalicionit, pasi që dy partitë opozitare Vetëvendosje dhe PDK iu janë përgjigjur negativisht ftesës së tij.

Megjithatë, Hoti ftesë nuk iu ka dërguar dy liderëve të shtetit, presidentit e kryeparlamentares, madje as nuk është koordinuar me ta para takimit.

Ftesë nuk ka marrë as kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express stafi i kryetares së Kuvendit.

“Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani nuk ka marrë asnjë ftesë nga Kryeministri për takimin në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë këshilltari i kryeparlamentares, Bekim Kupina.

Kosova dhe Serbia do të përballen me ndërmjetësimin amerikan me datë 4 shtator. Takimi ishte paraparë të mbahej me datë 2 shtator, mirëpo, është shtyrë për dy ditë më vonë pasi që është përfolur se mund të marrë pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme