Delegacioni nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës viziton VV-në

Prishtinë | 04 Tet 2019 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Dje, një delegacion nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës, i udhëhequr nga deputetja shqiptare në Kantonin e Zurich-ut, Qëndresa Sadriu, vizitoi Lëvizjen Vetëvendosje.

Delegacioni u prit nga Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, kandidatët për deputetë Arben Vitia dhe Venera Llunji, dhe këshilltari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi.

Sipas një postimi në Facebook të Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë takim, delegacioni nga Zvicra i përbërë nga deputet të nivelit kantonal e të qyteteve, u interesuan për fushatën zgjedhore dhe prioritetet qeverisëse të VV-së.

“Ata u njoftuan me 20 prioritetet qeverisëse, të cilat janë zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës kronike ekonomike e sociale në vend. Me këtë rast, u diskutuan problemet e punësimit dhe zhvillimit të ulët ekonomik dhe masat konkrete të cilat do t’i zbatojë qeverisja e VETËVENDOSJE!-s në mandatin e radhës”.

“Në anën tjetër, në këtë takim u shkëmbyen përvojat e strategjive dhe metodave të fushatave zgjedhore. Përfaqësuesit nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës u njoftuan me fushatën zgjedhore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe me faktin që subjekti ynë ka shpenzimet më të ulëta të fushatës, sepse është i bazuar në aktivistët/et dhe vullnetarët/et e saj, dhe se është subjekti i vetëm i cili po i respekton rregullat e fushatës me rigorozitet”, shkruhet në postimin e VV-së.

Të ngjashme