Deliu-Kodra: VV-ja dhe LDK-ja i gënjyen votuesit, s’kanë guxim të marrin përgjegjësi

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 15:30 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreut të Vetëvendosje (VV), Albin Kurti i kanë mbetur edhe 13 ditë kohë për propozimin e kabinetit qeveritar, prej kur ka marrë mandatin nga presidenti Hashim Thaçi.

Kurse dy partitë fituese Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, tha në një intervistë për Ekonomia Online se qytetarët e Kosovës kanë mbetur peng i mospërgjegjësisë nga këto dy parti politike.

“Absolutisht që është një status quo e krijuar do të thotë për tre muaj me radhë përkundër faktit që  është thënë disa herë në deklarime që do të ketë shumë shpejt marrëveshje, mua më vjen tepër keq që qytetarët kanë mbetur peng të mos përgjegjësisë”, theksoi ajo.

Sipas Deliu-Kodra, liderët politik përgjatë këtyre tre muajve kanë gënjyer qytetarët duke thënë se do të formojnë sa më shpejt institucionet e vendit.

Ajo thotë, se gjithçka çfarë është parë këta muaj ka qenë një spektakël, video-konferenca e fyerje ndaj njëri-tjetrit.

“Si duket liderët politik nuk kanë guxim për të marrë përgjegjësinë që ju takon, kanë gënjyer votuesit, kanë gënjyer qytetarët e vendit kur iu kanë thënë që do të formojnë sa më herët institucionet, ju e shihni që gjatë 3 muajve çfarë kemi parë mund të them fatkeqësisht ka qenë një spektakël për muaj të tërë kemi parë konferenca, video konferenca, pastaj fyerjet e etiketime ndaj njëri-tjetrit, por asesi, asnjë përgjegjësi në raport me qytetarin i cili ka dhënë votën dhe ka besuar se do të ketë një qeveri sa më herë”, u shpreh Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra, thekson se Partia Demokratike e Kosovës do të jenë të zëshëm në mënyrë që institucionet të formohen sa më shpejt, pasi kjo situatë është humbje si për vendin ashtu edhe për qytetarët të cilët po i ndiejnë këto pasoja.

“Edhe kësaj radhe mua më vjen keq që VV-ja ka mashtruar qytetarët e vet, ju i keni pa gjatë gjithë kohës liderin  e tyre me gjuhën dhe arrogancën sesi është qasur në raport me zhvillimet e fundit në vend. Natyrisht që ne do të kërkojmë përgjegjësi, do të jemi të zëshëm që institucionet të formohen sa më shpejt, sepse është humbje e madhe për qytetarët e vendit dhe Kosova nuk është në pozicion që të ketë një status quo ku qytetarët e vendit natyrisht do t’i ndiejnë pasojat siç po i ndiejnë çdo ditë sepse janë më shumë se tre muaj që kanë përfunduar zgjedhjet dhe nuk ka ende një epilog, por janë çështje episodike që ne i shohim për çdo ditë pa asnjë obligim në raport me qytetarët prej të cilëve i kanë marrë votat”, tha ajo.

Më tutje, ajo potencoi se edhe në rast se këto dy parti dështojnë të formojnë Qeverinë e re, PDK-ja nuk do të pranojë të bëjë koalicion me asnjërën parti.

Sipas saj, PDK-ja rrugëtimin e saj do ta ketë si parti opozitare.

“Jemi duke i pa zhvillimet politike në vend, por kemi thënë qëndrimin tonë që PDK-ja do të mbetët në opozitë, do ta luaj rolin e saj si parti e tretë me gjithë mbështetjen që ka marrë gjatë zgjedhjeve të fundit dhe natyrisht do të jetë shumë e zëshme karshi gjitha zhvillimeve politike në vend. Besoj që do të ushtrojmë mandatin tonë me shumë përgjegjësi sepse do të jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve që kemi marrë nga qytetarët e Kosovës”.

“Por e ka thënë edhe lideri ynë, z.Veseli ka vendosur një standard të ri politik në politikën kosovare kur ka vendosur që sapo është përmbyllur procesi zgjedhor të deklarohet që ne si PDK do ta kemi rrugëtimin tonë si parti opozitare në institucionet  e vendit”, u shpreh ajo.

Deliu-Kodra, theksoi se presin nga VV-ja dhe LDK-ja ashtu siç kanë marrë besimin e qytetarëve të bëjnë një zgjidhje, raporton EO.

“Ne kemi thënë që po presim që ata të cilët kanë  marrë besimin e qytetarëve të bëjnë zgjidhje sepse është obligim i tyre, obligim kushtetues që të veprojnë në raport me kërkesat dhe obligimet që kanë marrë nga qytetarët e republikës së Kosovës, çdo mospërgjegjësi e tyre, çdo mosmarrje  e obligimeve karshi interesave të vendit, natyrisht do të shkon në dëm të Kosovës do të shkon në dëm të qytetarëve të vendit dhe natyrisht ne si PDK jemi duke shikuar me vëmendje zhvillimet politike në vend, natyrisht me shumë shqetësim po i përcjellim dhe për ne do të jetë prioritet që Kosova sa më parë të ketë edhe institucionet  e saj legjitime në mënyrë që proceset politike në të cilat është vendi të vazhdojnë”.

Të ngjashme