Deliu: Presidentja Osmani urgjentisht të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ

Prishtinë | 02 Kor 2021 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që urgjentisht të emëroj anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ.

Thirrja e Deliut vjen pasi Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani e cila kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

Deliu thotë se Kushtetuesja vërtetoi të drejtën e kësaj partie për të pasur edhe përfaqësuesin e saj të dytë në KQZ.

“Presidentja e Kosovës, pas përgjigjes që sot ka marrë nga Gjykata Kushtetuese, duhet që urgjentisht të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ dhe t’i njoh të drejtën edhe VAKAT-it’, shkroi Deliu në Facebook.

“Çdo vendim tjetër është sulm mbi të drejtën tonë kushtetuese dhe që rrezikon hapur demokracinë dhe zgjedhjet e lira në vendin tonë”, theksoi ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme