Demaj: Kosova s’duhet të nxitojë për marrëveshjen me Serbinë, duhet të vendosë kushte

Prishtinë | 10 Maj 2019 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Historiani Frashër Demaj e ka komentuar Samitin e Brdo-Brijunit që është mbajtur gjatë ditës së djeshme në Tiranë duke treguar se çfarë qëllimi ka ky samit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Takimi i Brdo-Brijunit është vazhdimësi e Samitit të Berlinit, por edhe takimeve të tjera me pretendim për të qartësuar situatën dhe në një formë për të rehatuar Ballkanin”.

“Me dekompozimin e Jugosllavisë, pretendohej që situata në Ballkan do të rehatohej. Mirëpo realisht po shihet që në mesin e shumë shteteve pothuajse është vetëm Serbia që nuk ka ndërruar qasje dhe vazhdon të ketë një politikë të njëtrajtshme duke doktrinuar ide nacional-shoviniste në raport me popujt e tjerë”.

“Ka kaluar një kohë e gjatë që nga prishja e Jusgosllavisë dhe popujt e atij shteti të përbashkët nuk kanë marrëdhënie të mira mes tyre”.

Demaj në Sytë 7 në Klan Kosova ka thënë se Kosova nuk duhet të ngutet për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, por duhet të vendosë kushtet e veta.

“Serbia gjithmonë ka pasë tendencë nga Kosova, por që nga viti 2008, Serbia si detyrë prioritare i ka dhënë detyrë vetes që të mos lejojë Kosovën të funksionojë si shtet dhe sipas mendimit tim deri diku ia ka arritur”.

“Serbia është ndihmuar edhe nga ana jonë nga mosdija për të bërë politikë dhe diplomaci. Në Kosovë nuk ndodhin ngjarje të mëdha që e bëjnë optimiste qytetarinë e këtij vendi që diçka ka filluar të kthehet për së mbari”.

“Institucionet e Kosovës po bëjnë gabim sepse Kosova nuk ka nevojë të nxitojë dhe të bëjë marrëveshje me Serbinë. Kosova mund të pretendojë dhe punojë për t’u ngjitur në të gjitha fusha, por nuk duhet t’i lejojë që Serbia ta mbajë peng Kosovën”.

“Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE me problemet me Kosovën dhe para se të bëhet një marrëveshje duhet të detajizohen disa”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme