Demarkacioni me fqinjët, tkurrje apo korrigjim i hartës së Kosovës

Prishtinë | 01 Gus 2018 | 13:51 | Nga

Në bazë të të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, hapësira territoriale e Kosovës ndryshon me sipërfaqen që ishte prezantuar ndër vite.

Pas demarkacionit apo shënjimi të vijës kufitare me Maqedoninë, vërehet një tkurrje e sipërfaqes territoriale të Kosovës prej rreth 190 hektarëve.

Ndërkaq, mbetet të shihet se si do të reflektojë në sipërfaqen territoriale të Kosovës edhe demarkacioni me Malin e Zi, pasi që kjo vijë nuk është përcaktuar ende, pavarësisht ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit.

Në vjetarin e Statistikave të Publikuar ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku si burim kanë të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, thuhet se vitin e kaluar sipërfaqja e Kosovës ka qenë 10.905 kilometra katrorë, nga 10.908 sa ka qenë për dekadat paraprake.

Anvi Kastrati nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dhënat për sipërfaqen e Kosovës merren nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.

“Do të thotë sipërfaqen e territorit të Kosovës, Agjencia e Statistikave e merr zyrtarisht nga Agjencia Kadastrale e Kosovës”, tha Kastrati.

Por, zyrtarët në Agjencinë Kadastrale të Kosovës nuk janë përgjigjur për këtë çështje.

Ndërkaq, Tomor Çela, anëtar i Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës se Kosovës të angazhuar nga Qeveria e kaluar e Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se reduktim apo pakësim të sipërfaqes ka pasur në vijën kufitare më Maqedoninë.

“Ne e kemi sqaruar në raportin e matjes se në segmentin e kufirit në mes Kosovës dhe Maqedonisë, ka pasur një pakësim të sipërfaqes për 1. 91 kilometra katrorë, në vendbanimin e Restelicës, (komuna e Dragashit) dhe Dabellde (komuna e Vitisë)”, tha ai.

“Përderisa në vendbanimin e Dimcas (komuna e Hani të Elezi) ka pasur një rritjes të sipërfaqes. Mirëpo, krejt minusi i sipërfaqes së Kosovës në raport me segmentin në kufirin me Maqedoninë është 1.91 kilometër Kosovës, që i bie 191 hektarë”, tha Çela.

Kosova pati ratifikuar Marrëveshjen për demarkacion me Maqedoninë në vitin 2009, pas disa negociatave që kishin zgjatur disa muaj.

Kurse tre vjet pas kundërshtimeve dhe debateve, në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka arritur ta ratifikojë edhe Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.

Procesi i ardhshëm i shënjimit të kufirit do të shtrihet në zonën kufitare me Serbinë. Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit të Kosovës, tashmë kanë potencuar për Radion Evropa e Lirë, se Kosova ka potenciale të mjaftueshme për t’iu qasur çështjes së demarkimit të kufirit me shtetin e Serbisë.

Edhe Tomor Çela konsideron se nuk do ketë ndryshime territoriale edhe pas përfundimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe Serbinë.

“Nuk pres ndonjë ndryshim për arsye se kemi argumente të mjaftueshme, për secilën pëllëmbë të territorit të Kosovës dhe kjo e mohon mundësinë qe territori i Kosovës do të pësojë ndryshime edhe pas përfundimit të demarkacionit më Malin e Zi dhe Serbinë”, tha Çela.

Për të verifikuar sipërfaqen e territorit të Kosovës, Qeveria e kaluar në dhjetor të vitit 2016, kishte vendosur të themelonte një komision të ekspertëve për matjen e territori, që përbëhej nga 18 përfaqësues të organizatave dhe agjencive profesionale, shkencore, menaxheriale dhe të shoqërisë civile, si dhe kishte ftuar disa përfaqësues të instancave ndërkombëtare në cilësi të vëzhgueseve.

Shënjimi i vijës kufitare me të gjitha vendet fqinje paraqet edhe një kusht për rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe parakusht të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s për të ecur tutje në procesin integrues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme