Demarkacioni përçan koalicionin

Prishtinë | 14 Nën 2017 | 08:23 | Nga

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila ka mbetur pa zgjidhje tash e dy vjet, gjatë ditës së djeshme “përçau” partnerët e koalicionit qeverisës. Përderisa Komisioni i Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi (i caktuar nga kryeministri Haradinaj) raportoi para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, deputetët e partive politike që janë pjesë e koalicionit shfaqën mendime kontroverse lidhur me të gjeturat e deridjeshme.

Gjersa deputetët e AAK-së u bënë thirrje anëtarëve të Komisionit që të mos nguten, por ta bëjnë punën sa më mirë dhe të sjellë fakte, ata të PDK-së konsideruan se gjatë ditës së djeshme Komisioni nuk ka ofruar asnjë të re rreth Demarkacionit.

Përkundrazi, sipas tyre, ky Komision në raportimin e djeshëm është marrë vetëm me punët e ish-komisionit paraprak, të drejtuar nga Murat Meha.

Pavarësisht tyre, përfaqësues të partnerit tjetër të koalicionit, Nisma për Kosovën, konsideruan se Komisioni gjendet para një presioni të madh për finalizimin e raportit.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në të tilla çështje duhet të ofrohen fakte e jo të bëhen deklarata politike. Ata me këtë rast nuk kanë përjashtuar mundësinë që Demarkacioni të bëhet shkas për t’u përçarë përfundimisht ky koalicion, shkruan “Zëri”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme