Demarkacioni s’do të përmbyset, do të korrigjohet

Prishtinë | 02 Gus 2016 | 08:35 | Nga

Analisti politik, Halil Matoshi, nuk pret përmbysje të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi pas tryezës që do të mbahet nesër, ku do të diskutojnë për herë të parë në mënyrë institucionale përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës, por beson se do të ketë korrigjime.

Këto komente Matoshi i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se në këso çështje të interesit nacional do të duhej një konsensus i përgjithshëm politik dhe shoqëror.

Matoshi po ashtu ka shprehur besimin se pas vizitës së numrit dy të SHBA-ve, Joe Biden, këtë muaj në Kosovë do të qetësohen “gjakrat” mes dy palëve për çështjen e demarkacionit.

Zëri: Të mërkurën do të mbahet tryeza për demarkacionin ku do të ulen përfaqësues nga pozita dhe opozita. Çka prisni nga kjo tryezë?

Matoshi: Gjëja e parë që më vjen ndërmend është fakti se kjo tryezë është shumë e vonuar dhe nuk e kuptoj pushtetin që deri më sot nuk ka organizuar diçka të tillë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Për këtë arsye mendoj se kjo tryezë do të hedhë dritë mbi tërë këtë çështje, së paku do të jetë një fakt plus për qytetarët e Kosovës mbi atë se çfarë ka ndodhur.

Parimisht do të duhet t’i besohet një komisioni të shtetit siç ka qenë. Mirëpo, me vetë faktin se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë argumente, nuk ka ditur të mbrojë në publik asnjëherë versionin e vet dhe nuk i ka bërë publike të gjitha materialet, të lë që të dyshosh. Në këtë situatë unë besoj se së paku do të zbardhet thelbi i çështjes se procesi ka qenë i gabuar. Nuk janë përdorur të gjitha proceset që janë përdorur në të gjithë botën për demarkacionin e kufirit. Nuk është bërë delimitimi, pastaj demarkimi dhe nuk janë marrë ekspertët më kredibil me këtë çështje. Në këso çështje të interesit nacional do të duhej një konsensus i përgjithshëm politik dhe shoqëror. Megjithatë, nuk pres se do të përmbyset i tërë procesi, por korrigjime besoj se do të ketë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme