Demarkacioni, sfidë e vështirë, edhe pas zgjedhjeve të parakohshme

Prishtinë | 11 Maj 2017 | 16:27 | Nga

Zgjedhjet e parakohshme do të vonojnë edhe më shumë proceset e integrimeve evropiane, në dëm të qytetarëve, thonë analistët dhe njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Analisti Ramush Tahiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kosova si shtet ka obligime ndërkombëtare, sidomos ndaj rrugëtimit të saj euroatlantik.

I pyetur nëse janë lëkundur raportet me partnerët ndërkombëtarë, pas vendimit për zgjedhje të parakohshme, Tahiri ka thënë: “Për Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, çështja e shqiptarëve – konkretisht e Kosovës – është pjesë strategjike e politikave të jashtme që nuk mund të ndërrojnë brenda vitit. Kështu nuk do të ndërrojnë as obligimet e Kosovës”.

Analisti Imer Mushkolaj shprehet se partnerët ndërkombëtarë janë munduar ta bëjnë më të mirën që të paktën të kalojë Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi e që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

Mirëpo, sipas tij, për këtë nuk ishin të gatshme partitë politike.

“Partitë politike ishin më të gatshme që të shkojnë në zgjedhje, sidomos PDK-ja. Mirëpo, tash, kur i shohim reagimet dhe deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë, shohim se Kosova do të ketë sfida të mëdha. Partitë politike, në radhë të parë PDK-ja, duhet të llogarisë mirë veprimet dhe pasojat e shkaktuara në raport me çështjet e rëndësishme”, ka thënë ai.

Sipas Mushkolajt, për çdo shtet zgjedhjet do duhej të ishin normale, por për rastin e Kosovës e më me rëndësi do të ishte ratifikimi i demarkacionit.

“Është një ngecje që nuk e di se si do të riparohet pas krijimit të koalicionit të ri”, u shpreh Mushkolaj, duke shtuar se demarkacioni do të mbetet obligim, mbase i parë, i koalicionit të ri.

Ndryshe, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe institucioneve të Kosovës që të mos harrojnë sfidat e mëdha me të cilat përballet vend i tyre. (Telegrafi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme