Demi: Komunat kanë pak pushtet për të kryer punë, shumë për të keqpërdorur

Prishtinë | 22 Sht 2017 | 13:42 | Nga

Agron Demi, analist në institutin GAP, ka thënë se gjatë viteve të fundit Kosova ka krijuar komuna të cilat nuk kanë pushtet për të kryer punë, por at pushtet që kanë e shfrytëzojnë për të bërë keqpërdorime.

Në një postim në Facebook, Demi ka shkruar se në garën për komuna kanë hyrë 7 mijë qytetarë, për të zënë 1002 ulëse në kuvendet komunale dhe 38 pozita të kryetarëve.

“Kemi krijuar komuna të cilat më shumë ka të hyra kryetari, se sa vetë komuna. Për shembull, të hyrat nga tatimi në pronë në Komunën e Parteshit brenda një viti janë 11 mijë euro, kurse vetëm paga e kryetarit për një vit është 14 mijë euro”, ka sqaruar Demi.

“Kemi komuna të cilat shpenzojnë më shumë karburant për automjete, se sa për mirëmbajtjen e shkollave e qendrave mjekësore. Për shembull, Komuna e Klinës ka shpenzu 89 mijë euro për karburant të automjeteve, kurse 70 mijë euro në mirëmbajtjen e krejt shkollave, krejt qendrave mjekësore dhe krejt ndërtesat tjera publike. Më shumë se kaq ka kushtu vetëm vetura e kryetarit, e cila bashkë me mirëmbajtjen, e kalon çmimin prej 70 mijë eurosh”, ka dhënë tjetër shembull Demi.

“Kemi komuna ku shpenzimet për dreka janë më të mëdha se sa furnizimet mjekësore, siç është rasti për Komunën e Dragashit, Kamenicës, e plotë komuna tjera. Kemi komuna ku buxheti për investime kapitale është më i vogël se sa pagat e ekzekutivit të komunës. Buxheti për investime kapitale në Komunën e Kamenicës është 124 mijë euro, aq sa janë pagat vjetore të kryetarit, nënkryetarit dhe drejtorëve. Atëherë, çka është qëllimi i komunave? Me ju shërby atyre që zgjidhen dhe punësohen në to? Me qëllim që pushteti lokal me pas kuptim, nevojitet një ndryshim rrënjësor i legjislacionit dhe organizimit territorial. Sot, disa komuna i zëvendëson me një e-kioskë, ngase nuk bëjnë asgjë tjetër përveç me lëshu dokumente”, ka shkruar Demi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme