Demonstrohet amnisti për vjedhjen e 450 fletëvotimeve

Prishtinë | 01 Nën 2019 | 07:47 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet e ndjekjes kanë demonstruar amnisti për skandalin më të madh në zgjedhjet e 6 tetorit – atë të nxjerrjes së 450 fletëvotimeve nga një vendvotim në Runik të Skenderajt.

Nuk është arrestuar ndokush deri tash e as nuk është bërë kallëzim penal, ndërkaq jashtëligjshëm janë numëruar votat ku kishte ndodhur vjedhja.

Ndonëse rasti ishte raportuar ditën e votimit, në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Skenderaj kanë dëgjuar javë më vonë për rastin. Kurrkush nuk i kishte informuar. Madje, as autoritetet e rendit dhe ndjekjes. Informatën e kishin marrë nga raportimet e mediave që më 25 tetor kishin bërë për një mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

E dhëna është theksuar në një raport të KKZ-së së kësaj komune, që mban datën 27 tetor, e një kopje të të cilit e ka siguruar Koha Ditore.

“KKZ-ja nuk ka qenë fare e njoftuar nga personat e autorizuar që kanë qenë të emëruar nga KQZ-ja, e as nga menaxheri i Qendrës së Votimit, dhe për më keq as nga kryesuesi i KVV-së, por as nga vëzhguesit që kanë qenë prezentë gjatë gjithë ditës në vendvotimin 2114b/01R”, thuhet në raportin e nënshkruar nga kryesuesi dhe nga shtatë anëtarë të tjerë të KKZ-së. “Më shqetësuese është se KKZ-ja nuk është njoftuar për këtë rast as nga Policia dhe as nga Prokuroria. Zyrtarët e këtyre dy institucioneve që kishin qenë prezentë në këtë qendër votimi për këtë ngjarje, fare nuk e kanë parë të rrugës që të njoftohet KKZ-ja në Skenderaj, e cila sipas Ligjit për zgjedhje menaxhon dhe administron procesin zgjedhor në komunën tonë”.

Mbështetur në dokumente të siguruara nga gazeta, në orën 03:45 të ditës së votimit, në qendrën e votimit ku ka ndodhur vjedhja, ishte bërë pranimi i materialit të ndjeshëm, në të cilin bëjnë pjesë edhe fletëvotimet. Materialin për vendvotimin 2114b/01R e kishte pranuar kryesuesi A. Sh. (emër i njohur për redaksinë). Edhe në formularin e pranimit të materialit sensitiv, kopjen e të cilit e posedon gazeta, shihet nënshkrimi i tij, me të cilin konfirmon pranimin e 750 fletëvotimeve. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme