Dënohet me 500 euro gjobë asamblistja e LDK-së për mosdeklarim të pasurisë

Prishtinë | 22 Sht 2022 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Pejë, pas përfundimit të shqyrtimit kryesor, e ka gjetur fajtore asamblisten e Kuvendit Komunal në Pejë, Dritë Maloku, duke e dënuar me 500 euro gjobë për mosdeklarim të të hyrave të biznesit të bashkëshortit të saj.

Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësi Shaqë Curri, e pandehura u dënua me 500 euro gjobë, të cilën gjobë detyrohet të paguajë brenda afatit prej 30 ditësh, pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Nëse e pandehura nuk e paguan gjobën brenda afatit të përcaktuar, dënimi me gjobë mund t’i kthehet në dënim me burgim, ashtu që që 20 euro do të llogaritet një ditë burgim.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 26 korrik 2021, e ngarkonte Dritë Malokun, në cilësinë e zyrtares së lartë, si Këshilltare e Asamblesë Komunale, për mosraportim ose raportimin e rremë të pasurisë.

Sipas akuzës, më 3 qershor 2020, në Pejë, Maloku, zyrtare e lartë publike, Këshilltare e Asamblesë Komunale në Pejë, edhe pse sipas ligjit është e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, të dobisë tjetër pasurore, nuk ka raportuar në Agjencisë Kundër Korrupsionit, të hyrat nga biznesi N.P.SH. “El-ing”, që është i regjistruar në emër të bashkëshortit të saj.

Me këtë, Maloku ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, par. 1 të KPRK-së, i cili parasheh dënimin me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Të ngjashme