Deputetët e PDK-së i përkrahin veteranët: Keni të drejtë, paga minimale nuk do të kalojë në Kuvend

Prishtinë | 06 Qer 2022 | 12:10 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë dalë jashtë seancës për t’iu premtuar veteranët se Projektligji për pagën minimale nuk do të kalojë, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se ky projektligj nuk do të kalojë, teksa ka shtuar se do t’i përdorin të gjitha mjetet më demokratike për ndaljen e Projektligjit.

“Jemi me ju, seanca e sotme ka dështuar të fillojë shkak i mungesës së kuorumit por ju premtojmë se ky projektligj nuk do të kalojë në Kuvend. Nëse është e nevojshme do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike që mos të kalojë. Projektligj i cili është kundër vlerave, atëherë nuk do ta lejojmë që të kalojë ky projektligj”, ka thënë Haxhiu, teksa ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të bisedojë me këtë kategori.

Edhe deputeti tjeter i PDK-së, Mergim Lushtaku, tha se Qeveria nuk po njeh gjuhë tjetër, për këtë kategori përveç se të protestohet.

“Është e pakuptueshme se si Pozita nuk u qëndron pranë veteranëve dhe qytetarëve në nevojë. Ne e dimë shumë mirë që ky ligj e prek pagën minimale por edhe të hyrat e veteranëve të UÇK-së. Ne si opozitë jemi kundër këtij projektligji që më së paku nuk ka pasur as dialog social dhe në çdo shoqëri demokratike konsiderohet së pari të ketë dialog social, të gjendet pajtueshmëria dhe pastaj vjen me një propozim siç është ligji i pagës minimale.

“Asnjë kriter ky ligj nuk e ka përmbushur. Demokracia është e nevojshme të jetë në çdo proces të vendimmarrjes. Qeveria nuk po njeh gjuhë tjetër, dhe më vjen keq që veteranët po ju duhet të protestojnë për kërkesat e tyre elementare. Kur është nevoja të mbrohet interesi i qytetarëve ne kemi qenë gati të shfrytëzojmë çdo formë demokratike, deri dhe tek bojkotimi i seancës parlamentare”.

Ndërsa deputjetja e PDK-së , Ganimete Musliu ka përkrahur protestën e veteranëve ku ndër të tjera tha se dinjiteti i veteranëve të UÇK-së është permanent duke u shkelur, fyer, ofenduar.

“Dinjiteti i veteranëve të UÇK-së është permanent duke u shkelur, fyer, ofenduar. Është turp për ne që nuk mund të ua sigurojmë një jetë të dinjitetshme veteranëve të UÇK-së. Protesta e tyre është e drejtë dhe ne duhet ti mbështesim. Kam kërkuar edhe në legjislaturat e kaluara, jam me ta dhe bashkë ndjejë me ta. Është e tepërt lufta dhe propaganda që është zhvilluar ndaj veteranëve të UÇK-së që 20 vite, sot duhet të epet një mesazh që kjo propagandë të merr fund”.

“Këta e duan më shumë se ne shtetin dhe institucionet, e duan më shumë se ne policinë e Kosovës. dhe thjeshtë po protestojnë për dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur. Paga minimale vet fjala minimale trego se ku është gjendja e tyre sot. Unë sot ndjej keqardhje që i shoh në këtë gjendje. Ditën kur unë do të iki nga veteranët e UÇK-së nuk do të jetojë më”, tha Musliu.

Kërkesën e veteranëve e ka konsideruar të drejtë edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili ka shtuar se protestuesit duhet ta ruajnë qetësinë dhe të mos shkaktojnë dëme.

“Kërkesa e veteranëve është e drejtë, ne do të kërkojmë nga Qeveria ta tërheqë ligjin dhe të përfshihen veteranët në pagat minimale. Ju kërkojmë na ruajnë qetësinë sepse janë institucionet tona”, ka thënë ai.

Të ngjashme