Deputetët kërkojnë rritjen e pagës minimale, punëtorët e sektorit privat të diskriminuar

Prishtinë | 17 Pri 2019 | 12:26 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar që paga minimale të rritet, pasi që ajo do të ndikojë në uljen e varfërisë dhe të zbutet papunësia. Ligjvënësit e kanë quajtur diskriminim pagën e punëtorëve të sektorit privat me ata publik, raporton Ekonomia Online.

Në interpelancën për kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, në lidhje me rritjen e pagës minimale, deputeti Armend Zemaj në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se rritja e pagave në Qeveri ka bërë që të lindë një debat i tillë dhe të shkaktohet pakënaqësi për pagën minimale të punëtorëve.

“Tendenca për të arritur një zgjidhje duke ruajtur bilancin e ekonomisë së tregut, elementi bazik që e ka përkeqësua gjendjen është rritja e pagës së qeverisë. Ka qenë jo e arsyetuar mirë që kanë lindë edhe debatet. Ju kujtohet që një nga ministrat e përcaktoi vetë pagën minimale dhe tha punë e kryer ndërsa ministri i financave tha kjo është e pamundshme”, u shpreh Zemaj.

Ai shtoi se duhet të ketë zgjidhje të situatës e jo vetëm fjalë. Sipas tij, ky dallim ndërmjet pagës mesatare në sektorin publik dhe privat duhet të harmonizohet karshi jetës së qytetarëve.

“Paramendo si ndihet një punëtor kur dikush pagën 5000 euro derisa paga minimale është 130 euro, kurse në shportën familjare duhet 150 euro për të jetuar thjeshtë.  Ne takohemi me punëtor që kryejnë shërbime dhe në Kuvend, e kur takohemi me njerëz që punojnë në sektorin publik paga e tyre nuk arrin as deri në 170 euro, e mbajnë familjet me to. Kjo temë duhet të ketë trajtim dinjitoz dhe jo vetëm të shprehjeve dhe mekanizmave por një zgjidhje adekuate duke ruajtur stabilitetin ekonomik”, shtoi Zemaj, raporton EO.

Safete Hadergjonaj në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se qëllimi i rritjes së pagës minimale është që të zbutet papunësia dhe varfëria në vend.

“Mendoj që edhe në momentin kur është përcaktua paga mesatare 130-170 nuk ka qenë përcaktim i mirë. Nëse duam ta përcaktojmë pagën minimale të mos caktohet në dy nivele por të caktohet një pagë sepse nuk mund të bësh dallime në moshë”, tha Hadergjonaj.

Ajo shtoi se para rritjes së pagës minimale duhet analizë e mirëfilltë e saj për shkak se mund të krijohen pasoja.

“Ne kemi nevojë për analizë të mirëfilltë për rritjen e pagës minimale sepse rritja e saj mund të mos jetë efektive dhe mund të sjellë shkurtim të vendeve të punës. Marrja e vendimit për pagë minimale duhet të bëhet sepse e parasheh edhe ligji, por e rëndësishme është të ketë zbatueshmëri”, tha ajo.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Fatmire Kollçaku, tha se diskriminimi me pagat po ndodhë në kompanitë private.

 “Po pajtohemi edhe deputetët e pozitës edhe opozitës që legjislacioni nuk po zbatohet. Kur flasim për pagën minimale duhet të flasim për pagat në përgjithësi. Kemi një diskriminim të theksuar sidomos pagave në sektorin privat dhe veçanërisht në kompanitë e mëdha  sepse janë në pronësi të vetë personave politik apo familjarëve”, pohoi Kollçaku.

Donika Kadaj-Bujupi në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se Këshilli Ekonomiko-Social duhet ta rrisë përgjegjësinë dhe të ndalohet diskriminimi në bazë të moshës.

“Ky organ duhet të dalë sp paku dy herë në vit me propozime. Si kritere duhet të merren parasysh nevojat e qytetarëve dhe niveli i përgjithshëm ekonomik. Patjetër duhet të ndryshohet baza që e përcakton pagën minimale sipas moshës. Duhet të ndalohet diskriminimi i pagës në bazë të moshës për kategorinë nën 35-vjeç. E mira është që këtu nuk kemi palë të ndryshme jemi të gjithë bashkë dhe AAK-ja, ju thërret që të angazhohemi që sa më mirë ti plotësojmë ato nene që deri në këtë fazë nuk janë implementuar mjaftueshëm ose kanë krijuar hapësira për keqpërdorim të punëtorit”, tha Kadaj-Bujupi, raporton EO.

Besa Baftiu nga Partia Socialdemokrate, u shpreh se më të diskriminuarat për punë janë gratë të cilat për shkak të pagës së ulët apo gjasës së ulët për tu punësuar kanë mbetur në amvisëri.

“80.7 për qind të grave nuk kërkojnë punë fare për shkak të gjasës së ulët per punësim dhe për shkak të pagës së ulët. Duke qenë të pozitë të vështirë gratë nuk janë të pavarura dhe iu cenohet e drejta themelore e njeriut.  Kemi stagnim të kësaj page që në vitin 2011 edhe pse ligji e detyron qeverinë që në fund të çdo viti të rishikojë pagat minimale. Procesi i përcaktimit të metodologjisë duhet të nisë nga parimi që punëtorit dhe familjes së tij ti sigurojë kushte të mjaftueshme për jetesë. Paga minimale nuk duhet të jetë kurrsesi një politikë e vetmuar. Politika duhet të shkojë krah për krah me kushtet e punëtorit.

Këtë çështje shefi i grupit parlamentar të Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e quajti të vonuar. Sipas tij, ky rregullim do të duhej të ndodhte në janarin e këtij viti.

 “Së pari të hiqen kufizimet e moshës sepse nuk ka logjikë që dikush që ka dallime në moshë e bëjnë punë të njëjtë të paguhen më pak a më shumë.  Në ligj duhet të futet një automatizëm që të mos bëhen keqpërdorime dhe të anashkalojnë këshillin ekonomiko social.  Jo vetëm që ka ardhë kohë që sivjet të rregullohet por përmes ligjit të punës të rregullohet një herë e përgjithmonë”, tha Sherifi.

?DREJTPËRDREJT – Vazhdimi i seancës plenare e Kuvendit të Kosovës. Në rend dite janë interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj; ajo e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka etj

Posted by EkonomiaOnline on Wednesday, April 17, 2019

Të ngjashme