Deputetët mbështesin Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 12:20 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas prezantimit të Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, nga Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Haxhi Shala, tha se i rekomandojnë kuvendit që ta miratojnë në parim këtë projektligj.

“Të miratohet në parim Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes. Projektligji i plotëson kushtet e parapara për të proceduar për shqyrtim të parë dhe i rekomandon kuvendit miratimin e tij në parim. Kërkoj që ky ligj të rregullohet në serbisht dhe në anglisht, sepse kemi vërejtje nga deputetët që flasin këtë gjuhë”.

Avdullah Hoti i cilësoi projektligjet për ushtrinë si çështjen më të rëndësishme për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

“Ne sot po diskutojmë çështjen më të rëndësishme për shtetin tonë. Ky është momenti që duhet të na bëjë të gjithve bashkë. Kur ne kërkojmë mandat të ri për FSK-në për ta bërë ushtri të mirëfilltë ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë fqinjët tanë”.

“Dëgjojmë zëra nga fqinji verior kundër Ushtrisë së Kosovës, vetëm ata që janë kundër interesave euroatlantike e kundër NATO-s janë kundër Ushtrisë së Kosovës. Duam ushtri moderne për të promovu paqen dhe për të qenë në krah të partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

“Përpjekjet  për të marrë merita për themelimin e ushtrisë janë përpjekje të atyre që mund të kenë kontribuar, por duan të përfitojnë të gjitha meritat mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës që i kanë këto merita. Kjo forcë meriton të ketë përkrahjen e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”.

Fatmir Xhelili, nga PDK-ja, tha se nuk ka nevojë për retorikë “rrahagjokse”.

“E përkrahim themelimin e ministrisë së mrbojtjes. Na do të japim kontributin tonë gjatë leximit të dytë të këtij ligji”.

Rexhep Selimi në emër të Lëvizjes Vetëvendosje e konfirmoi mbështetjen e kësaj partie për ligjet për FSK-në, raporton EO.

“Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes është një ligj që i kontribuon pakos ligjore për FSK-në. Ne si grup e kemi trajtuar shumë seriozisht dhe kemi ardhë në përfundim se edhe duhet mbështetur, por edhe duhet amendamentuar shumë”.

“Nuk ka pasur asnjë moment, asnjë periudhë, asnjë seancë, kur ne si Vetëvendosje kemi vënë në dyshim të mbështesim ligjet për FSK-në. Edhe këtë herë do t’i mbështesim”.

Aida Dërguti, nga PSD tha se i përkrahin projektligjet dhe se do ta japin kontributin në shqyrtimin e projektligjeve mes dy leximeve.

Ahmet Isufi, në emër të AAK-së, tha se me ushtrinë Kosova bëhet shtet i kompletuar e i sigurt.

“Kosova në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare tregon vullnetin e vet për inkuadrim në NATO. Me këtë ne e bëjmë shtet të kompletuar e të sigurt”.

Albert Kinolli, nga 6+, tha se është nder që të përkrahin miratimin e projektligjeve. Ai tha se do të përkrahin tri projektligjet pa rezervë.

Mirëpo, Kinolli kërkoi që në këtë projektligj të merren parasysh edhe të drejtat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Kryeministri Ramush Haradinaj falënderoi partitë për përkrahjen e ofruar ligjit për ushtrinë.

“Ju falënderoj të gjitha partive parlamentare dhe jam mjaft i vetëdijshëm për punën që po kryejmë sot. Nuk dëshirojë të marr pjesë në diskutime, në debat. Por ju siguroj që në Kosovë të gjitha komunitetet duhet të ndihen të sigurt”.

Daut Haradinaj propozon që projektligjet për FSK-në të futen në votim pasi, sipas tij, të gjithë e dinë që deputetët e përkrahin.

Të ngjashme