Deputetët me mospjesëmarrje në votim iu përgjigjen mocionit të Veselit për heqjen e mëditjeve

Prishtinë | 30 Mar 2018 | 19:52 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeparlamentari Kadri Veseli pas përfundimit të seancës së sotme ka propozuar që deputetëve të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në seancë të iu hiqet mëditja.

Mirëpo këtij mocioni të Veselit deputetët iu përgjigjën me mospjesëmarrje në votim. Kjo pasi për këtë propozim votuan vetëm 40 deputetë prej të cilëve 29 për 6 kundër dhe 5 abstenime.

Lidhur me këtë propozim të kryetarit Veseli u deklaruan edhe grupet parlamentare.

Bilall Sherifi nga Grupi Parlamentar i Nismës Social Demokrate tha se me rëndësi është që të ketë kourum për mbajtjen e seancave.

“Nuk mendoj që duhet të tërhiqet mëditja sepse të gjithëve na ndodh që njëherë të jemi e njëherë jo me rëndësi është që të jemi 61 deputetë”, tha Sherifi.

Propozimi i Kadri Veselit nuk është përkrahur as nga grupi parlamentar i LDK-së.

Arben Shala nga ky subjekt tha se seanca nuk ka drejtë të merr vendim për të çështje pas asnjëri nga ta nuk mund të gjykojnë se pse një person merr pjesë në seancë e pse dikush tjetër jo.

“Nuk kemi të drejtë ne që me gjykuar që pse një person është në seancë e pse dikush nuk është unë gjykoj se është e padrejtë seanca nuk mundet ne marrë këtë vendim”, deklaroi Shala.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se çështja e mospjesëmarrjes në seanca e deputetëve nuk mund të zgjidhet me një votim të tillë.

Sipas Konjufcës kjo çështje duhet të zgjidhet përmes një mekanizmi tjetër rregullues pasi sipas tij nuk mund të pajtohen që një deputetë të merr mëditje vetëm me një nënshkrim në fillim të seancës e duke mos marrë pjesë në të.

“Unë nuk mendoj që kjo çështje zgjidhet me një vendim të thjeshtë duhet të gjejnë mekanizma që e ngritin medo sanksione”.

“Unë propozoj që ndoshta një mekanizëm i administratës me këqyr secilin deputetë për nga përqindja në seanca. Nuk mund të pajtohem fare me deputetin që vjen në ora 10 e qet një në shkrim edhe pastaj nuk merr pjesë në seancë edhe merr mëditje”, shtoi ai.

Se kjo çështje duhet me rregullore e tha edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së Ahmet Isufi.
“Kjo çështje duhet të rregullohet me rregullore e jo në disa seanca në mungojnë e të mos dënohen”, tha Isufi.

I të njëjtit mendim ishte edhe Memli Krasniqi nga PDK.

“Unë propozoj që këtë mundësi të sanksionimit me përfshi në rregullore. Ne sot mund të votojmë me dhënë një shenjë”.

Mirëpo ky diskutim, sipas Dardan Sejdiut po bëhet vetëm sa për të rënë në sy të diskutimit.

Ai tha se deputetët të jenë më të përgjegjshëm dhe të marrin pjesë jo vetëm në votim por edhe në debatet që bëhen.

Të ngjashme