Deputetët në Kuvend vetëm formalisht, marrin mëditjet i bojkotojnë seancat dhe komisionet

Prishtinë | 22 Qer 2019 | 08:11 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Edhe pse seancat e komisionet i bojkotojnë, deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të marrin mëditjet e tyre prej 200 eurosh, sa herë që nënshkruhen në listën e përfituesve për marrje të mëditjeve.

Vetëm në vitin 2018, 90 për qind e deputetëve janë nënshkruar në këtë listë ani pse seancat kanë dështuar në mungesë kuorumi.

Këtë komoditet vazhdojnë ta kenë edhe tash deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi që për një dukuri të tillë nuk ka masa ndëshkuese. Të njëjtën e thotë për Ekonomia Online edhe Blerta Aliu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Aliu shprehet se lëvizjet e tilla po i pamundësojnë Kuvendit të Kosovës një mbarëvajtje të punës, me ç’rast po penalizohen shumë procese vendimmarrëse.

“Është bërë karakteristikë tashmë e kësaj legjislature, pra deputetët vijnë në seancë nënshkruhen pastaj nuk qëndrojnë dhe seancat dështojnë në mungesë të kuorumit, madje në shumicën e rasteve ndodhë një gjë e tillë, 90 përqindëshi i deputetëve janë nënshkruar në listë, përderisa seancat kanë dështuar në mungesë kuorumi, nuk ka ndëshkueshmëri për një gjë të tillë, ne e dimë që rregullorja e punës parasheh sanksione dhe ndëshkime vetëm nëse deputetët nuk paraqiten 6 muaj në seanca, përndryshe për mungesa të tilla që janë të shumta, nuk parashihet një gjë e tillë. Do ishte një farë kushtëzimi, nëse ata duhen të nënshkruhen në fillim të seancës dhe pastaj në përmbyllje të saj”, tha ajo për Ekonomia Online.

“…Ne po e shohim mungesën e kuorumit dhe dështimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare, pastaj dështimin  e seancave dhe të gjitha këto po e pamundësojnë një mbarëvajtje të punës së Kuvendit dhe natyrisht që po i penalizojnë pastaj shumë procese të tjera dhe ligje që janë në pritje që me muaj të tërë janë duke u zhvendosur nga seanca në seancë dhe nuk kanë mundësi të kalojnë. Kjo dukuri është më e theksuar tash kohëve të fundit, në vitin 2018, prej janarit e deri në mars kanë qenë 8 seanca dhe të 8-at kanë dështuar në mungesë kuorumi, ani pse 90 përqindëshi i deputetëve kanë qenë të nënshkruar në listë”, thekson Aliu.

Për deputetin nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufin, e gjithë kjo dukuri ka të bëjë me papërgjegjësinë e deputetëve.

Ai thotë se kryeparlamentari Kadri Veseli duhet t’i obligojë deputetët që të vijnë në seanca, në të kundërtën t’i sanksionojë ata.

“Këtë e shoh si një papërgjegjësi të deputetëve, sepse deputeti është i thirrur në bazë të vullnetit qytetar që e ka marr votën. Megjithatë, mungesa e kuorumit në disa raste po e pengon angazhimin në parlamentin e Kosovës dhe jo vetëm deputetët e opozitës, por në këtë rast edhe deputetët e pozitës një pjesë e tyre po mungojnë gjë që po e pamundëson funksionimin e Kuvendit”.

“…është përgjegjësi e deputetëve të parlamentit të Kosovës që t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse e kanë marr votën që të votojnë vendimet që janë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Meqenëse nuk ka sanksione në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës, atëherë duhet që partitë politike, në këtë rast grupet parlamentare dhe kryetari Veseli të ndërmarrin hapa të cilët  i obligojnë deputetët  të vijnë në seanca, përndryshe e vetmja mënyrë që mundet t’i dënojë të gjithë ata që janë të papërgjegjshëm është vota e qytetarëve dhe t’ua pamundëson ardhjen përsëri në Kuvendin e Kosovës”, tha Asufi.

Ndërsa sipas deputetes së VV-së Albulena Haxhiu, deputetët nuk do duhej të merrnin fare mëditje apo shtesa për paraqitje në seanca e komisione.

Ajo thotë për EO, se nëse një deputet nuk iu është përgjigjur ftesave për seanca e komisione rreth 50% për qind të kohës, atëherë ai nuk do duhej të gëzonte mëditje.

“Për mua është komplet e papranueshme që deputetët marrin mëditje për seanca dhe komisione parlamentare, mendoj që do duhej ta kishim vetëm pagën bazë dhe në momentin që mungojnë në seanca apo komisione parlamentare, ajo pagë bazë t’i zbritej varësisht prej përqindjes të mospjesëmarrjes në mbledhje të komisionit apo seancave plenare madje edhe me ligjin e pagave që ka kaluar në Kuvend. Nëse deputeti nuk ka qenë 50 për qind të kohës në një seancë plenare, atëherë ç’kuptim ka të ketë shtesa për të, pavarësisht që janë nënshkruar”, shprehet Haxhiu për Ekonomia Online.

Deputeti Milaim Zeka thotë se shumica e deputetëve vijnë vetëm formalisht në Kuvendin e Kosovës dhe nuk i kryejnë fare obligimet e tyre si deputetë.

“Në seancën e fundit ka ardhur një deputete në seancën e pasdites dhe i shikoje mediet mos po e sheh dikush derisa nënshkruhej në listën e mëditjeve, kjo është turp padyshim. Ju po e shihni që çdo gjë ka devijuar në këtë vend”.

“Shumica e deputetëve vijnë formalisht në Kuvendin e Kosovës, nuk i përkushtohen punës së tyre si deputet dhe një pjesë e madhe e tyre i bëjnë kah 5 ose 6 biznese të tjera dhe shfrytëzojnë foltoren e deputetit dhe ulësen për dy gjëra, për vota mashtruese dhe për biznes. Nuk kemi arrit ta ndryshojmë rregulloren dhe po punojmë me një rregullore prej vitit 2010 dhe kjo rregullore na mundëson që ne me e keqpërdorë detyrën tonë si deputet”, shprehet Zeka.

Në vitin 2017-të Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të dyfishohen mëditjet e deputetëve për pjesëmarrje në seanca parlamentare.

Të ngjashme