Deputetët s’e përkrahin mocionin e PDK-së

Prishtinë | 06 Kor 2018 | 12:04 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me 57 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim nuk është përkrahur mocioni i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës që Propozimi i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të shqyrtohet në fillim të seancës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, arsyetoi propozimin  me atë se pasdite deputetët kanë agjendën e tyre e nuk do të jenë në sallë për ta bërë kuorumin për këtë pikë, raporton Ekonomia Online.

“Unë propozoj që pikën e rendit të ditës me numër 14 ta vendosim në rend të ditës tash, në mënyrë që ky numër i deputetëve ta kryjë këtë rend të ditës. Kisha shpreh kërkesën që edhe grupet e tjera parlamentare ta mbështesin këtë kërkesë time”.

Mirëpo këtë kërkesë nuk e përkrahu grupi parlamentar i LDK-së.

“Për shkak të rëndësisë së temës në fjalë, ne nuk e mbështesin këtë propozim dhe kërkojmë që pika të mbahet siç është në agjendë”, tha Lumir Abdixhiku.

Për shkak se, sipas shefit të grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, deputetët mund të vijnë më vonë, as VV-ja nuk e përkrahu këtë mocion.

“Po shihet që PDK-ja dhe një pjesë e deputetëve nuk janë të pranishëm. Mendoj se ata do të vijnë gjatë kohës, mendoj se kjo pikë duhet të mbahet ashtu siç është caktuar në kryesi”.

Mbështetje për mocionin e PDK-së dhanë grupi parlamentar i PSD-së, AAK-së dhe Nisma Social Demokrate.

“Tema e Gjykatës Kushtetuese dhe plotësimit të kuorumit duhet plotësuar. Nuk po shoh arsye të mos fillojmë me këtë temë”, tha Dardan Sejdiu.

Bilall Sherifi kërkoi që kjo cështje të zgjidhet tani e të mos lihet për pasdite.

“Nëse e lëmë për pasdite të jeni të sigurt që shumë deputetë do të ecin nëpër agjenda private. Le ta zgjidhim këtë çështje sot dhe tani”.

Të ngjashme