Deputetët serbë e braktisën seancën, kur kuptuan se kishin nderuar luftëtarin e UÇK-së

Prishtinë | 01 Shk 2018 | 12:18 | Nga

Deputetët e Listës Serbe dje në shenjë proteste kanë braktisur seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi kishin kuptuar se kishin nderuar me një minutë heshtje ish-luftëtarin e UÇK-së, Haradin Balaj, i dënuar me 13 vjet burgim nga Tribunali i Hagës, i cili u varros dje në Varrezat e Kleçkës. Kështu raportuan mediat e Beogradit, sipas të cilave deputetët e Listës Serbe “ishin viktimë e një kurthi politik”, meqë nuk paska pasur përkthim në gjuhën serbe dhe ata nuk kanë ditur se kë po e nderojnë.

Sipas agjencisë serbe të lajmeve, Tanjug, Klubi i deputetëve të Listës Serbe kanë njoftuar se “Është e pakuptimtë që sot në Europë një institucion, i cili prezantohet rrjeshëm si demokratik, i bën nderime një krimineli të luftës dhe terroristit, siç është e turpshme të vihen në lojë demokracia dhe deputetët e një grupi deputetësh duke i ndalur me mashtrim në sallë pasi iu ndërpre përkthimi”, transmeton Koha.net.

Sipas këtij burimi, “Deputetët e Listës Serbe asnjëherë nuk do t’i nderojnë vrasësit e baballarëve, nënave e fëmijëve serbë, ndërsa po të ishim sot (bëhet fjalë për dje) të informuar për qëllimin e drejtuesve të Parlamentit, ne do ta shprehnim në mënyrë eksplicite dhe zëshëm protestën tonë dhe do të pengonim shuplakën publike ndaj popullit serb dhe vrasjen e sërishme të viktimave serbe”.

Deputetë e Listës Serbe, sipas kumtesës që e transmetojnë mediat e Beogradit, nuk do të kthehen në seancën e Parlamentit deri sa të mos zgjidhet çështja e mënyrës së punës në Kuvend dhe raporti ndaj përfaqësuesve serbë të zgjedhur, jo vetëm për shkak të mungesës së përkthimit, por edhe për shkak popullit tonë dhe viktimave të tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme