Deputetët shtojnë edhe 4 pika në rend dite në seancën e jashtëzakonshme

Prishtinë | 20 Sht 2018 | 14:50 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti Ismajl Kurteshi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Arsim, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës kërkoi që në rend dite të futet edhe pika për votimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative për Mbështetjen e Sektorëve Kulturorë dhe Kreativë.

Kjo pikë, dhe tri të tjera, u futën në rend dite, edhe pse ngjalli debate mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se seanca duhet të zhvillohet me pikat për të cilat janë dakorduar në mbledhjen e kryesisë.

“Ne kërkojmë që kjo seancë e jashtëzakonshme të zhvillohet me këto pika që jemi dakorduar në mbledhjen e kryesisë”.

Memli Krasniqi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, kërkoi përgjigje nga ata që nuk pranonin që kjo pikë të futej në rend dite, pasi që edhe kjo është marrëveshje ndërkombëtare.

“Sinqerisht çdo hap që po bëhet në këtë lojën e ulët në kuvend po e bën të pakuptimtë. Sot jemi në seancë të jashtëzakonshme me i votu do pika që kanë qenë edhe javën e kaluar. Po du me dit pse sot është më e rëndësishme programi Evropa për Qytetarët sesa Evropa Kreative. S’po di pse duhet me u refuzu. Nëse është thirrë kjo seancë për m’i ratifiku marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë hajde po i votojmë krejt marrëveshjet ndërkombëtare. Në jemi këtu sot duke pasur mirëkuptim duke e kuptu politikën”.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV-së, tha se duhet të mbahet seanca e thirrur nga opozita në mënyrë që të ndalet bojkoti, raporton EO.

“Për me iu kthy argumentit në thelb është se pushteti ka dashtë me na jap ni leksion me poshtëru opozitën. Opozita po don me ju eduku që në kuptimin politik që ju pa opozitën s’mundeni. Unë mendoj që duhet me ju kthy debatit aty ku e ka vendin dhe duhet me leju m’u mbajt seanca e opozites. Pse këto qenkan më të rëndësishme se territori i Kosovës. Nëse doni m’i dhënë zgjidhje bojkotit, atëherë duhet të mbahet seanca e opozitës. Nëse nuk zgjidhet kjo, opozita ka me vazhdu në të njëjtën mënyrë”.

Të ngjashme