Deputeti Fatmir Humolli: E ka gabim Vetëvendosja dhe Ministri, nuk ka të drejtë kerkush të luaj me veteranët

Prishtinë | 06 Qer 2022 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, e vlerëson të gabuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrit Murati rreth mospërfshirjes së veteranëve të luftës në rritjen e pagës minimale. Në një bisedë për Gazetën Express, deputeti Humolli thotë se askush nuk ka të drejtë të luaj me këtë kategori.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, votoi pro mocionit të PDK-së, që sot në Kuvend të mos diskutohet për çështjen e pagës minimale. Meqenëse ky mocion nuk kaloi dy herë, në Kuvendin e Kosovës nuk pati as kuorum që projektligji për pagën minimale të miratohet në lexim të parë.

Humolli, i cili edhe më parë e ka kritikuar qeverinë që të reflektojë dhe të punojë më mirë, tha se është kundër keqpërdorimit të kategorive të veteranëve të luftës.

“Arsyet e protestës janë edhe arsyet e mia, edhe kundër keqpërdorimit të kategorive të veteranëve të luftës çfërdo qëllimi kujdoqoftë, nuk ka të drejtë kerkush me lujt me këtë kategori, sidomos sot kur krejt Evropa dhe Ballkani është në një gjendje që mundet me pas edhe konflikte e tash ne duke e ataku këtë kategori ja bëjmë me dije që kushdo që lufton për vend është i anashkaluar prej institucioneve tona. Edhe pse jam deputet në Grupin e Vetëvendosjes e ka gabim Vetëvendosja dhe Ministri në këtë qasje”, tha Humolli.

Ai tha se punon në përputhje me pikëpamjet e tij dhe në mënyrë të pavarur edhe pse është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë nuk jam anëtar i Vetëvendosjes, hy në listën e Vetëvendosjes si i pavarur dhe gjithçka që punoj, punoj në përputhje me pikëpamjet e mia, me qëndrimet e mia aty ku përputhem me Vetëvendosjen -përputhem me Vetëvendosjen, aty ku përputhem me partitë e tjera unë i shoh në radhë të parë qëndrimet e jo paragjykimet”, tha më tej Humolli.

Qëndrimet e tij nuk janë befasi për Vetëvendosje, e as për Albin Kurtin, u shpreh Humolli. Duke shtuar se vendimet që janë në interes të kategorive shoqërore janë prioritet për të.

“Unë prej fillimit kam hy si kandidat i pavarur, edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Albini e dinë komplet, edhe qëndrimin tim përafërsisht e dinë, nuk është befasi për ta…Brenda Vetëvendosjes nuk ka befasi për shkak se e dinë se unë e kom qëndrimin tim përaafërisht kudo që të jam, unë për hatër të dikujt mundem me pi një kafe, por për vendime që kanë të bëjnë në interes të kategorive shoqërore, në interes të vendit për mua janë prioritet…”, u shpreh ai ndër të tjera.

Për miratimin e projektligjit për rritjen e pagës minimale nuk pati kuorum në Kuvend, madje pati edhe tensione.

Veteranët të cilët protestuan zëshëm jashtë Kuvendit për shkak se u lanë jashtë këtij projektligji, pas disa orësh e shpallën të mbyllur protestën. Aty u përdor edhe gazi lotsjellës dhe sipas policisë u lënduan dy zyrtarë policorë.

Veteranët paralajmëruan se do të mblidhen sërish nëse ky projektligj futet sërish në rend dite të seancave të radhës.

Seanca e Kuvendit nuk ka vazhduar as me pikat tjera të ditës, për të cilat mungoi kuorumi i nevojshëm gjithashtu. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se nuk po sheh kushte për vazhdimin e seancës dhe e mbylli.

“Vetëm 58 deputetë të Kuvendit po marrin pjesë në votim, kështu që nuk ka kuorum për vendimmarrje. E ndërprejmë këtë seancë meqë nuk po shoh kushte që seanca të zhvillohet. Ju thërras në një ditë tjetër për ta vazhduar seancën me këto pikat që na mbetën”, tha ai. 

Të ngjashme