Deputeti i AAK-së krahason Lajçakun me Ban Ki Moonin

Prishtinë | 31 Kor 2020 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, ka krahasuar emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Syla tha se Ban Ki Moon kishte propozuar 6 pika për Kosovën dikur, ndërsa tashmë edhe Lajçak ka ardhur me “plan 9-pikësh”,

Kjo ka bërë që Syla të reagojë duke thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se negocimi për ndryshimin e Kosovës së 17 shkurtit është humbje kohe.

“Z. Lajçak-Moon, ka kaluar koha e pikave. Kosova është shtet i pavarur, ka institucionet e veta, ka një kushtetutë prej më të avancuara në botë sa i përket respektimit të minoriteteve. Asociacioni i komunave që ju i referoheni, e ka marrë përgjigjien kushtetuese”, është shprehur Syla.

“Ju mund të negocioni me kënd të doni e për çfarë të doni, por negocimi për ndryshimin e Kosovës së 17 shkurtit, është humbje kohe, ashtu siç keni humbur kohë 10 vite negociata e marrëveshje të kota që nuk gjejnë zbatim praktik”, ka shtuar ai.

Të ngjashme