Deputeti i AAK-së mbron vendimet e kundërligjshme të Pal Lekajt

Prishtinë | 26 Gus 2020 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

Pas përplasjeve për dialogun me Serbinë dhe për tema të tjera, një konflikt i ri ka shpërthyer mes partnerëve të koalicionit që qeverisë Kosovën, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shkak është bërë një vendim që ka marrë ministri i Infrastrukturës nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi, për shkarkimin e “Njësive Zbatuese të Projekteve”.

Ndaj vendimit të Abrashit ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha.

Ai ka thënë se me këtë rast janë larguar 20 punëtorë nga puna, shkruan lajmi.net.

“Ministër Abrashi 20 punëtorë i paske larguar nga puna sot në kohë pandemie. I paske marr turr 240 milion projektit Berzh-it të rrugës Zahaq-Pejë.Me turrin e ledekejcit. Ministri Abrashi me 24 Korrik ka shfuqizuar vendimet per themelimin e Njesive Zbatuese te Projektit (NJZP) dhe vendimet per transferimin e zyrtareve si dhe ka pushuar veprimtarin e ketyre njesive. Me kete vendim, ai ka larguar nga puna ne kohe pandemie 20 zyrtare te ketyre njesive, per me teper, dje me 25 Gusht ai ka ri-themeluar po te njejtat Njesi Zbatuese te Projekteve por kesaj radhe me militant LDK-s dhe servil te tjere te afert me te!”, ka shkruar Berisha në rrjetin social Facebook.

Megjithëkëtë, sipas informacioneve të lajmi.net nuk bëhet fjalë për largimin e 20 punëtorëve nga puna, siç pretendon deputeti Berisha, po për heqje të përgjigjesisë së zyrtarëve të ministrisë, të cilët kanë qenë të kyçur në këtë projekt me mëditje. Mësohet se vetëm 4 punëtorë kanë qenë të jashtëm.

Ditë më parë, Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditorit, ka marr vendim për shkarkimin e “Njësive Zbatuese të Projekteve”, për shkak se gjatë themelimit të tyre ishin anashkaluar kërkesat ligjore.

Raporti i Auditorit ka gjetur se vendimet për themelimin e njësive për mbikëqyrjen e projekteve, “Ndërtimi i Autostradës Kijevë-Zahaq”, “Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, “Zgjerimi i hyrje-daljeve në Ferizaj, Prizren dhe Gjilan”, Zhvillimi i projektit të Autostradës Istog-Pejë-Deçan, Gjakovë, Prizren”, janë marr pa miratimin paraprak të Ministrisë së Financave, e cila kërkohet sipas ligjit.

Sipas Auditorit, themelimi i këtyre njësive duke mos iu përmbajtur kërkesave rregullative mund të ndikojë në shpenzime të parregullta të buxhetit si dhe mangësi në menaxhimin financiar. 

Të ngjashme