Deputeti i LDK-së, Arben Gashi i bindur: Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë do të bëhet

Prishtinë | 23 Pri 2022 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, me anë të një shkrimi në Facebook është shprehur i bindur se Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë do të bëhet.

“Nga dita që kërkuam krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë e deri me sot, faktet që kemi të drejtë po shtohen përditë. Arsyeshmëria po rritet e bindja po forcohet. Edhe pse e drejta politike, kushtetuese dhe ligjore e opozitës nga pushteti po sfidohet, ajo nuk do të mposhtet assesi. Komisioni hetimor do të bëhet. Ky pengim i pushtetit mund të sjellë vonim, por tashmë faji ka adresë, sepse nuk është “jetim”, pushteti është fajtor. Ikja nga hetimi është vetë përgjigjja”, shkroi Gashi.

Ai më tutje shkroi se “me krijimin e komisionit mësohet e vërteta, hiqen ose vërtetohen dyshimet për keqpërdorim apo korrupsion, për paaftësi apo keqmenaxhim”.

“Por, një gjë është e paevitueshme: faji që e bën pushtetin fajtor, në cilindo rast. Ky pushtet i ka dhënë më shumë se 100 milion euro dhe e ka rritur faturën e energjisë elektrike për 100%, të cilat qytetarët po vazhdojnë t’i paguajnë. Kjo është një padrejtësi e shtrenjtë dhe çmim i papërballueshëm për qytetarët. Për më tepër, me krijimin e komisionit respektohet Kushtetuta dhe demokracia, ngase përmbushet njëra ndër tre shtyllat e funksionimit të parlamentit: Mbikëqyrja. Ndonëse e keni dëshmuar se Kushtetutën e shkelni dhe demokracinë nuk e respektoni, ne nuk do të ndalemi deri në krijimin e komisionit hetimor parlamentar”, nënvizoi Gashi.

Të ngjashme