Deputeti i LDK-së: I kemi 63 vota për votimin e ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Prishtinë | 05 Tet 2020 | 19:19 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK’së, Shkëlzen Hajdini ka folur për projektligjin të Rimëkëmbjes Ekonomike. Sipas tij, ky projektligj do të rregullojë mënyrën se si shteti të ndërhyjë në rimëkëmbjen ekonomike, në shëndetësi, arsim, etj.

Hajdini tha se ky ligj nuk është për rimëkëmbje ekonomike, pasi që tashmë ekziston vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 78 milionë eurove.

“Buxheti i Kosovës është 1.7 miliardë, ndërsa shpenzimet janë 2.6 miliardë që nënkupton që këto shpenzime duhet të mbulohen dhe të gjenden mundësi shtesë”, ka thënë Hajdini.

Ai tha se qëllimi i tërheqjes së 10 për qind nga Trusti nuk është për nevoja sociale.

“Me këtë ligj nuk do të krijojmë raste sociale, por 10 përqindëshi i Trustit ka për qëllim rritjen e kërkesës agregate. Qëllimi është të rritet kërkesa dhe mundësia e rritjes së blerjes përmes shpenzimeve nga konsumatorët”, tha ai i ftuar në emisionin “Imazh” të RTK’së.

Hajdini tha se të enjten kur do të hidhët në votim për herë të gjashtë Projektligji për Rimëkëmbje, koalicioni qeverisës do t’i ketë 63 ose 64 vota.

Të ngjashme