Deputeti i LDK-së tregon se a do të emërohet ministër, bën thirrje për marrëveshje të shpejtë me VV-në

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, e një nga deputetët më të votuar të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Anton Quni ka deklaruar se beson se marrëveshja LDK e VV do të përfundohet së shpejti.

Sa i përket pozitës së presidentit, dakordimi për këtë temë sipas tij duhet të bëhet që të ketë stabilitet në qeverinë e ardhshme. Për herë të parë, Quni ka folur për mundësinë që ai të emërohet si minister, raporton express.

Anton Quni thotë se arsyeja se pse LDK-ja po tenton që të dakordohet me VV-në edhe për presidentin që do ta pasojë Hashim Thaçin është se në këtë mënyrë shmangen zgjedhjet e reja, e mundësohet një qeveri stabile dhe e sigurtë, që do të thotë mandat afat gjatë me partinë e Albin Kurtit.

Mirëpo, kreu i LDK-së në Komunën e Prizrenit ka mohuar se Isa Mustafa është personi për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës po e përgatit këtë pozitë, pasi që shton se deri më tani nuk është diskutuar për emra të përveçëm.

Derisa Lidhja Demokratike tashmë po insiston që të marrë udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si tjetër dikaster që po thuhet se ka zgjedhur Isa Mustafa në takimin me Albin Kurtin është edhe Ministria e Forcës dhe Sigurisë. Në një nga këto dy dikastere po përmendet se do të emërohet Quni. Duke folur për herë të parë për këtë temë, deputeti i zgjedhur, thotë se nuk ju ka ikur asnjëherë sfidave e detyrave, e mbrojtja dhe siguria e qytetarëve do të ishte një detyrë për të cilën shton se do të punonte me nder për ta përmbushur.

Në fund, Quni ju ka bërë thirrje LDK-së e Vetëvendosjes që të arrijnë marrëveshje sa më shpejtë për të mos i zhgënjyer votuesit e të dy partive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme