Deputeti i LDK-së tregon si do të ndahen ministritë, thotë se s’kanë nevojë për votat e PDK-së

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë që si pjesë e marrëveshjes për Qeverinë e re, LDK do të marrë 7 ministri.

“Formula pak a shumë është ajo që edhe ka dalë në media: 7 ministri LDK-ja, 4 AAK-ja, 2 Nisma Socialdemokrate  dhe të tjerat partitë politike joshumicë në Kosovë. Nuk janë finale emrat, jemi duke diskutuar”, ka thënë Selmanaj në një intervistë në RTK.

Selmanaj tutje ka thënë se votat e AKR-së nuk janë vendimtare, duke mos e përjashtuar megjithatë një marrëveshje edhe me këtë parti.

“Nuk është që votat e AKR-së janë vendimtare, ne në bazë të bisedimeve që i kemi me partnerët e mundshëm nuk na dalë që është problem numri i votave në Kuvend, por jemi në diskutime edhe me AKR-në sepse vlerësojmë që edhe AKR mund të kontribuojë në këtë koalicion sepse është pjesë e një grupi parlamentar të Nismës dhe unë besoj që është mirë edhe për ta që të jenë pjesë e këtij koalicioni”, tha ai.

Selmanaj tha që nuk e kanë përjashtuar AKR-në duke shtuar se janë në në fazën e diskutimeve edhe me partitë e minoriteteve që nuk janë serbe.

Sipas tij janë më pak se 4 deputetë të LDK-së që nuk e duan Qeverinë me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

“Jemi shumë afër që edhe me ta që të arrijmë marrëveshje. Nuk është e vërtetë që janë 4 deputetë të LDK-së  kundër, janë më pak dhe për LDK-në çështja e problemit në numrave nuk trajtohet, mirëpo ideja është që të kemi 67 vota. Janë shumë më pak se 4 kundër, deputetët e LDK-së janë të përgjegjshëm karshi votës dhe subjektit”, tha ai.

Selmanaj shtoi se nuk kanë kontakte me LVV-në dhe PDK-në dhe se nuk varen assesi prej tyre.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mandatarin për formimin e Qeverisë.

LDK-ja ka vendosur që Avdullah Hoti të jetë kandidatë për kryeministër të Kosovës në kuadër të kësaj partie.

Ditë me parë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur pro koalicionit me  Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate (NSD), Aleancën Kosova e Re (AKR), si dhe subjektet e pakicave.

Kjo iniciativë për formimin e Qeverisë së re ka ardhur pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars.

LDK-ja e cila ishte edhe partnere e këtij koalicioni kishte iniciuar mocion për shkak të mospajtimeve për tarifën si ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Të ngjashme