Deputeti i PDK-së përfshihet në adresimin e Kurtit: Falënderoju Thaçit

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti, sot njoftoi se në ditën e dytë të vizitës në Kosovë të Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, inauguruan parkun e ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës.

Ai tha se prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë dhe do të ulë emetimet e CO2 për 247 mijë tonë.

“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme”, shkroi shefi i qeverisë në Facebook.

E gjithë ky projekt, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i cili komentoi në postimin e kreut të VV-së në Facebook, është projekt i Qeverisë Thaçi.

Ligjvënësi i partisë më të madhe opozitare shkroi se Kurti duhet ta falënderojë ish-kryeministrin Hashim Thaçi, i cili ia ka mundësuar ta inaugurojë të “paktën një investim strategjik”.

“Po inauguroni investimet e qeverise Thaçi, ndaj falenderojuni atij, qe ua mundesoj te inauguroni te pakten nje investim strategjik, ne keto tre vite te mbrapshta e te deshtuara te qeverisjes suaj”, vijon replika e Berishës në shkrimin e Kurtit.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar inaugurimin e Parkut të Erës në Mitorivcë, ku tha se meritat e Qeverisë Kurti për këtë projekt janë zero.

Tutje, Haradinaj tha se nëse kryeministri Kuti të mos e kishte, sipas tij, kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’i gëzoheshin edhe dy sukseseve në fushën e energjisë.

Sipas Haradinajt, nëse Kurti nuk do t’i bënte këto dy kundërshtime, qytetarët nuk do t’i vuanin pasojat e mungesës së energjisë së çmimeve.

“Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend”, ka shkruar Haradinaj.

“Sidoqoftë ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga Kryeministri Kurti”.

Të ngjashme