Deputeti i VV-së thirrje LDK-së: Leni kushtëzimet me Presidentin

Prishtinë | 08 Dhj 2019 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Hekuran Murati, deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, i ka bërë thirrje LDK’së të ndalet se kushtëzuari formimin e koalicionit me pozitën e Presidentit. Ka thënë se Qeveria e re do të duhej të shënonte ditën e dhjetë të punës dhe fillimin e zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.

Reagimi i Muratit ka ardhur pasi Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, tha se Vetëvendosjes nuk i takojnë dy pozitat kryesore të Shtetit.

“Leni kushtezimet, e t’ja fillojme punes!”, ka shkruar Murati, në një reagim në FB.

“Po hyjme ne vitin 2020 pa buxhet te miratuar. Qe 10 dite eshte dashte tashme me e pase Qeverine e re dhe me fillu zgjidhjen e problemeve te shumta e emergjente qe na presin”, ka shtuar ai.

Isa Mustafa dhe Albin Kurtin kanë ndërprerë bisedimet pasi s’u pajtuan për pozitën e Presidentit që po e kërkon LDK’ja.

Raportet ndërmjet Mustafës e Kurtit u ftohen para disa ditësh kur lideri i VV’së tha nga Tirana se Kryeministrat e mëhershëm kanë vjedhur derisa lideri i LDK’së kërkoi të mos bëhen provokime të tilla pasi minojnë çfarëdo bashkëpunimi ndërpartiak.

Deri më tash, Vetëvendosje përpos pozitës së Kryeministrit pritet të marrë edhe pesë ministri aq ministri sa prite të këtë edhe LDK’ja plus pozitën e Kryeparlamentarit dhe eventualisht të Presidentit.

Partia e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28. Iu duhen edhe disa vota të pakicave për të ndërtuar Qeverinë e re.

Lideri i VV’së ka thënë se ka siguruar votat e pakicave joserbe, të cilat do ta votojnë Qeverinë pa asnjë kushtëzim.

Vetëvendosje për herë të parë pritet të jetë në Qeveri derisa ka dhënë premtime se do të përmirësojë arsimin, shëndetësinë, diplomacinë e ekonominë.

Të ngjashme