Deputeti i PDK-së i reagon Arben Gashit për dorëheqjen e Hashim Thaçit

Prishtinë | 26 Pri 2017 | 18:49 | Nga

Tashmë kanë nisur zërat se nëse prishet koalicioni PDK-LDK, kjo e fundit do të kërkojë dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi me arsyetimin se në këtë post ai ka ardhur pas votave të koalicionit. Por, kjo pikë po shihet si një kërkesë që nuk mund të realizohet meqë është e pabazë dhe jo serioze.

Në një prononcim për “Indeksonline”, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka thënë se deklarata të këtij lloji që erdhën nga deputeti i LDK-së, Arben Gashi, rrjedhin për shkak të frikës që kanë nga zgjedhjet.

Sipas tij, Thaçi është njeriu më i votuar në Kosovë dhe se ai e ka mandatin kushtetues.

“Individë të caktuar a deputetë, kanë të drejtë më bë kërkesa, por edhe ata vet që i bëjnë këto kërkesa e dinë që janë të pabaza dhe jo serioze, sepse mandatet burojnë prej Kushtetutës. Zoti Thaçi e ka mandatin kushtetues, edhe ashtu ka qenë njeriu më i votuar në Republikën e Kosovës dhe ka pasur besimin më të madh bazuar edhe ne subjektet, por edhe në liderët e Republikës së Kosovës, bazuar në zgjedhjet e qershorit 2014. Këto deklarata më shumë janë prej frikës së zgjedhjeve. Mendoj se politikanët duhet të jenë çdoherë të gatshëm të dalin para qytetarëve sepse me mandat të tyre janë aty ku janë, edhe deputetët edhe ministrat, edhe kryeministri edhe presidenti”, ka thënë ai.

Sipas Beqës, zgjedhjet duhet të mbahen me konsensus politik, përkatësisht me vendimin e përbashkët të krerëve të koalicionit qeverisës, Kadri Veselit e Isa Mustafës. Megjithatë, ka shtuar Beqa, koalicioni PDK-LDK ishte krijuar për t`i çuar përpara çështjet madhore të vendit dhe nëse dështon në këtë çështje, atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Unë konsideroj që zgjedhjet duhet bërë me konsensus politik, janë çështje nacionale. Duhet të dalin institucione kredibile, të besueshme për me marrë vendime të mëdha për vendin. Në këtë rast duhet të shkohet me konsensus të partnerëve të koalicionit, respektivisht zotit Veseli dhe zotit Mustafa dhe të tjerëve që janë në koalicion. Është krijuar një opinion në Kosovë se duhet të shkohet në zgjedhje, sepse nëse një qeveri nuk është e aftë të marrë vendime të mëdha në interes të vendit, atëherë është mirë të shkohet në zgjedhje. Paraprakisht, edhe koalicioni kur është ndërtuar është bërë për tì dërguar çështjet madhore përpara. Prioritet ka qenë kjo”, është shprehur ai.

Deputeti i PDK-së ka komentuar vizitën e kryeministrit Mustafa në Bruksel, i cili kishte udhëtuar për t`i kërkuar Bashkimit Evropian që ta shtyjë për një kohë kushtin e demarkacionit për liberalizimin e vizave.

Sipas Beqës, Mustafa nuk mund t`i bindë deputetët e Parlamentit Evropian, derisa nuk mund t`i bindë deputetët e vet që ta votojnë marrëveshjen për demarkacion.

“Edhe kryeministri, por edhe presidenti e kryetari i Parlamentit, e kanë obligim me lobu për interes të qytetarëve të vet. Por Bashkimi Evropian nuk ka këso praktika për të cilën ka shkuar zoti Mustafa. Konsideroj se nuk ka logjikë që një kryeministër që nuk mund t`i bindë deputetët e vet për ta votuar një çështje për interes të qytetarëve, nuk ka kuptim ta kërkojë këtë atje. Mendoj se është më shumë hap politik, sesa hap konkret. Më lehtë e ka me i bindë deputetët e vet se sa të Parlamentit Evropian”, ka thënë tutje ai.

Beqa ka shtuar se ky hap i Mustafës ka qenë i vonuar, meqë këtë kërkesë të tij është dashur ta parashtrojë para se demarkacioni të vihej si kusht për vizat

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme