Deputeti turk kërcënon Haradinajn me dalje nga koalicioni nëse nuk shkarkohet Gjergj Dedaj

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 08:50 | Nga

Gjergj Dedaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjikë në Kosovë, përmes emisarëve të tyre. Madje, ish-lideri i Partisë Liberale të Kosovës, këto dy shtete i ka quajtur ‘Shtriga të Ballkanit’.

Deklarimet e zëvendësministrit Dedaj, kanë nxitur reagimin e përfaqësuesve të komuniteti turk, të cilët përmes deputetit të tyre në Parlamentin e Kosovës, Fikrim Damka, i kanë thënë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt që ta shkarkojë zëvendësministrin Dedaj.

Madje, deputetët turq kërcënojnë se nëse kryeministri nuk e shkarkon Dedajn, koalicioni qeverisës nuk do t’i ketë votat e Grupit Parlamentar “6+”.

“Zëvendësministri Dedaj përmes faqeve të veta në rrjeteve sociale ka bërë që të thyhet gota mes nesh. Ka pasur deklarata të tilla të ngjashme deri më sot, por kjo e fundit është e papërballueshme për ne. Kësaj radhe e kemi dënuar këtë me keqardhje. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Grupi parlamentar 6+ i ka bërë një kërkesë zyrtare kryeministrit Haradinaj që ta shkarkojë nga detyra Dedajn. Ne presim të bëjë hapin e duhur kryeministri. Nëse kryeministri nuk merr ndonjë iniciativë për këtë çështje, ne gjithashtu i kemi komunikuar atij se do të vlerësojmë votat tona në qeverinë e koalicionit”.

“Ne mendojmë se ky person nuk e meriton të jetë zëvendësministër, por as përfaqësues i ndonjë detyre shtetërore. Ai përmes rrjeteve sociale ka bërë edhe shpifje të vazhdueshme kundër kryeministrit Recep Tayyip Erdogan”, ka pohuar Damka pas takimit me kryeministrin Haradinaj, për agjencinë turke Dogan Haber Ajansi, përcjell Telegrafi.

Dedaj në një postim në Facebook kishte shkruar se “Turqia dhe Serbia, synojnë rikthimin e tyre strategjikë në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundimit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilët duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit!”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme