Deputetja e AAK-së: Gruaja vazhdon të jetë viktima e shtypur, shihet si e mangët dhe e paafte

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Në debatin parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, përkujtoi të gjitha gratë e rënë të familjes Jashari, raporton Ekonomia Online.

Duke folur në seancë, Bytyqi tha se gruaja vazhdon të jetë viktima e shtypur dhe të shihet si e mangët dhe e paaftë. Ajo kërkoi që të ngritet zëri në mbrojtje të tyre.

Ajo adresoi edhe pyetje në drejtim të kabinetit qeveritar për gratë e dhunuara gjatë luftës.

“Të gjithë e dimë se tradicionalisht gratë kanë barrën kryesore në shoqëri. Ndër shekuj është dëshmuar të jesh grua do të thotë të zgjohesh nga gjumi dhe të kërkosh të drejtën për të vepruar. Gruaja vazhdon të jetë viktima e shtypur. Të shihet si e mangët dhe e paafte. Të privohet nga gjithçka edhe nga jeta. Kjo është shumë e vështirë mirëpo ne nuk duhet të heshtim. Duhet ta ngrisim zërin në mbrojtje të njëra tjetrës. Çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë për gratë e veja dhe të përdhunuara në luftë? Çfarë kemi bërë dhe çfarë të bëjmë për gratë që të jenë të përfaqësuara në institucione? Këto pyetje duhet t’i bëjmë çdo ditë. E di se këtë shqetësim e keni edhe ju kolege në kuvend. E kemi borxh ndaj shtetit tonë të inkurajojmë dhe të mbështesim punën e secilës prej nesh. Gruaja nuk është lodër. Ajo është nënë, grua e vajzë”, tha ajo.

Ajo përfundoj fjalën me një thirrje dhe apel që t’u ndihmohet të gjitha grave nga Ukraina.

Të ngjashme