Deputetja e AAK-së e pyet Kurtin: A e dini që 42 mijë qytetarë e braktisën Kosovën më 2021?

Prishtinë | 29 Qer 2022 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, ia ka rikujtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për largimin e 42 mijë qytetarëve nga Kosova më 2021-ën.

Bytyqi e ka thënë këtë me anë të një postimi në ‘Facebook’. Ajo e ka parë një trend të këtillë migrimi si dështim të qeverisjes aktuale.

“Mirëmëngjesi kryeministër S’e di a e dini, meqenëse ju i dini të gjitha. Janë mbi 42 mijë qytetarë që braktisën vendin nga viti 2021. A nuk është kjo alarmante për ju, e njëkohësisht e dhimbshme? Dështimi e keq qeverisja nuk është ndryshe. Na e more në qafë këtë popull!”, ka shkruar deputetja e AAK-së.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë vlerësimin e popullsisë për vitin 2021. Sipas ASK-së, vitin e kaluar (2021), kanë emigruar 42 728 persona.

Kurse, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2021 ishte (-38 606 banorë). Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për (-24 215 banorë).

Të ngjashme