Deputetja e PDK-së: Njerëzit që e ndërtuan paqen u paraqitën para Speciales

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Depuetetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi tha se kapitullin të cilin e nisi sot Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të jenë kapituj përfundimtarë të ndërtimit të Kosovës.

“Kapitullin të cilin e nisi sot Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të jenë kapituj përfundimtarë të ndërtimit të asaj që bashkë me qindra-mijëra luftëtarë e kishin nisur dy dekada më parë. Kosovën e çliruar, të pavarur, demokratike dhe sovrane”, tha Musliu-Shoshi.

“Ashtu siç ditën ta shkruajnë para shumë kohësh, në të njëjtën mënyrë do ta shkruajnë edhe tani. Me forcën e argumentit dhe të idealeve për të cilat ata luftuan. Duke e ditur se liria e Kosovës do t’ua merrte angazhimin familjar e shoqëror, e do t’ua merrte edhe kohën më të mirë të pas luftës, atë të ballafaqimit me të vërtetën. Kundër tyre nisi një proces në nëntor, në muajin më të lavdishëm të kombit shqiptar, në muajin kur lindi komandanti legjendar Adem Jashari e kur publikisht doli UÇK-ja”, thuhet në postimin e saj në Facebook.

“Këta ishin luftëtarë të parë të UÇK-së, Udhëheqës Politik dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Udhëheqës e pjesëmarrës në delegacionin e Rambujesë e në atë të Vienës që kulmoi me Pavarësinë e Kosovës. Sot ishte ulur Shpallësi i Pavarësisë së Kosovës e Kryekuvendari i Pavarësisë së Kosovës. Njerëz që siguruan tranzicionin në Kosovë, që e udhëheqën luftën e që e ndërtuan paqen. Të tillë do të kthehen në Kosovë. Së shpejti”, thuhet në fund.

Të ngjashme