Deputetja e PDK-së për Gërvallën: Po ju kërkon zyrtarëve të ministrisë dhe diplomave t’i raportojnë dy herë në ditë

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi përmes një shkrimi në Facebook ka hedhur akuza drejt kryediplomates Donika Gërvalles duke thënë se e njëjta ka lëshuar urdhër që zyrtarët dhe diplomatët e MPJD-së t’i raportojnë për çdo veprim, nga dy herë në ditë, paradite dhe pasdite.

Shoshi në Facebook ka thënë se si duket Gërvalla nuk e ka kuptuar ende rolin dhe përgjegjësinë e saj si kryediplomate.

“Ka disa ditë që zyrtarëve dhe diplomatëve të MPJD-së (me urdhër të Ministres përmes Sekratarit) iu kërkohet raportim për çdo veprim, edhe atë dy herë në ditë, paradite dhe pasdite. Si duket Donika ende nuk e ka kuptuar rolin dhe përgjegjësinë e saj. Si kryediplomate nuk do të duhej të kërkonte raportim të drejtpërdrejt nga shërbyesit civil sepse hierarkinë e raportimit e përcakton Ligji për Zyrtarët Publikë dhe jo stafi politik”, shtoi ajo.

“Ministria ka 389 zyrtarë, dhe nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, brenda ditës do të jenë 778 raporte. Kjo metodë nuk prodhon cilësi në diplomaci, përkundrazi një kërkesë e tillë është e palogjikshme dhe e panevojshme. Qëllimi i këtij urdhri mund të supozohet se është seleksionimi dhe diferencimi i diplomatëve të caktuar”, tha e njëjta.

Deputetja e PDK-së tutje ka shtuar se karshi veprimeve të Donika Gërvallës janë duke heshtur edhe sindikata.

“Donikës duhet t’ia kujtoj se në asnjë ministri nuk praktikohet raportim i tillë. Në vend se të kërkoj raportim të drejtpërdrejtë, do të ishte mirë që t’i takonte drejtorët e drejtorive dhe t’i dëgjonte shqetësimet e tyre rreth përshkrimit të detyrave të nëpunësve që aktualisht nuk janë të mirëfillta, e po ashtu të diskutoheshin edhe gradimet e diplomatëve, të cilat duhen bërë duke e respektuar në përpikmëri legjislacionin në fuqi. Krejt në fund, po aq shqetësuese është edhe heshtja e Sindikatës përballë kësaj tentative për të ushtruar presion ndaj zyrtarëve dhe diplomatëve të MPJD-së. Kurse, Donikës do t’i sygjeroja që fillimisht të rregullonte stafin e saj në Kabinet, i cili edhe ashtu është i mangët dhe joprofesional, e të merret me çështje më të rëndësishme për vendin se sa mikromenaxhimi i Ministrisë – detyrë kjo që nuk i takon titullarit”, ka thënë ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme