Deputetja e PSD-së: LDK dhe VV po e tërheqin vëmendjen me sondazhet e fundit

Prishtinë | 07 Jan 2019 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Sondazhin e Vetëvendosjes sipas të cilit PSD-ja nuk e kalon as pragun, zyrtarët e kësaj të fundit po e cilësojnë si mjet për tërheqjen e vëmendjes nga temat aktuale politike.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ka vlerësuar se në vend të sondazheve të tilla, LDK dhe VV do të duhej të fokusoheshin në temat e tjera, që sipas saj të mbahej qeveria përgjegjëse.

Duke komentuar sondazhin e VV-së, Pantina ka thënë për Telegrafin se është normale që partitë e ndryshme të bëjnë matje të opinionit publik.

“Secili subjekt apo organizatë që bën sondazhe, besoj që edhe Vetëvendosja e ka bërë këtë sondazh për nevojat e veta. Sondazhet janë një instrument i cili tregon ku qëndron karshi çështjeve të ndryshme, e në këtë rast për partitë dhe mbështetjen që e kanë nga qytetarët. Ajo çka mua më bën përshtypje edhe të VV edhe te LDK është se kohëve të fundit janë marrë shumë me sondazhe dhe e kanë tërheq vëmendjen prej çështjeve të cilat realisht po ndodhin”, ka thënë fillimisht deputetja e PSD-së.

Pantina po vlerëson se zgjedhje nuk pritet të ketë në një afat të shpejt kohor, pasi thotë se partitë opozitare nuk i kanë votat për ta rrëzuar qeverinë.

Mesazhi i saj për dy partitë e tjera në opozitë është që të fokusohen në “temat reale, e jo të dëshirueshme”.

“Unë nuk shoh që ka zgjedhje shpejt, prandaj mendoj se është më mirë që të përqendrohemi me majt qeverinë përgjegjëse, dhe vendimet  që ata i marrin në vend që të merremi me matje të opinionit publik, se cila parti do t’i fitonte zgjedhjet pasi këto janë krejt tema hipotetike sepse nuk duket që ka me pas zgjedhje shpejt. Dhe as VV, LDK dhe as ne nuk i kemi votat e mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë. Kështu që më mirë do të ishte me u fokusu te temat reale sesa ato të dëshirueshme”, deklaroi Shqipe Pantina.

Sondazhi i Vetëvendosjes është bërë publik gjatë të dielës në një konferencë për media.

Sipas rezultateve të kësaj partie, nëse zgjedhjet mbahen javën e ardhshme, atëherë fituese do të dilte LDK-ja duke lënë pas Vetëvendosjen.

Në vendin e tretë do të renditej PDK-ja, kurse e katërta partia e kryeministrit Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme