Deputetja e VV-së: Mos e humbni durimin, duhet angazhim për të arritur deri tek marrëveshja

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, njëherit pjesë e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin.

Në një postim të sajin në Facebook, shkroi se shpeshherë ndalimi për të sqaruar gjithçka mund të pengojë për të arritur qëllimin final. Prandaj ajo tha se duhet durim e angazhim për të arritur te caku.

Postimi i plotë:

Interesimi i opinionit dhe vëmendja për çështjet që janë me interes të përgjithshëm është i natyrshëm dhe i pritshëm.

Pa marrë parasysh se cilat janë motivet e interesimit, është legjitime e drejta për të ditur. Por nuk duhet harruar se shpesh herë ndalimi për të sqaruar gjithçka, mund të na pengoj për të arritur qëllimin final. Andaj dhe duhet durim e angazhim për të arritur te caku.

Në Kryesinë e LV! i kemi deleguar detyrën e zhvillimit të bisedimeve grupit punues deri në gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendit, sipas vullnetit të shprehur nga qytetarët. Andaj dhe me besimin e plotë tek Kryetari Kurti dhe kolegët tanë ftoj për durim.

Në momentet e rëndësishme, përkundër tensionit e presionit, e madje pikërisht për këtë, vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta. Dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin.

Rruga përpara është e gjatë, ka momente zhgënjimi e frike, por vendimet e drejta na sigurojnë që shpresa për zhvillim, angazhimi për drejtësi e kohët e bukura, të jenë më të afërta e të zgjasin më shumë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme