Deputetja Musliu-Policisë: “Me Dardanin skiftera e me Radojçiqin pula”

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pasi Milan Radojçiq i është arratisur dje Policisë së Kosovës.

Duke shpërndarë një lajm, ku Policia tregonte se si Radojçiqi iu iku nga duart, Musliu ka thënë se do të mjaftonte që policët të ishin “serioz, profesional e të përkushtuar”, si me Dardan Molliqajn dhe operacioni do të kryhej me sukses.

Tutje, Musliu ka thënë se po të ishte në opozitë kryeministri Kurti do të thoshte “Me Dardanin skiftera e me Radojçiqin Pula”.

“Do te mjaftonte vetem qe Policia e Kosovës të ishin serioz e profesional e të përkushtuar siç ishin në rastin e Dardan Mulliqit qe operacioni të kryhej me sukses. Shenjteria e tij Albin Kurti po të ishte në opozite do të thoshte për veprimet e Policise: “ Me Dardanin skiftera e me Radojçiqin Pula””, ka shkruar Musliu.

Ndryshe, mesditën e së enjtes, Milan Radojçiq i është arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak. Policia në raportin 24 orësh ka dhënë detaje se si i iku Radojçiq nga duart.

Derisa zyrtarët policorë ishin duke kryer procedurat e verifikimit, Radojçiq është kthyer mbrapa me veturë, në drejtim të Serbisë.

Sipas verifikimit të kryer nga policia, ka rezultuar se Radojçiq është i kërkuar në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata.

“PKK Bërnjak 03.02.2022 – 15:40. Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.

Ndaj Radojçiq është hapur rasti “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës”.

Radojciq është vënë në listën e të kërkuarve para disa ditëve.

Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen. Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.

Para disa javëve, SHBA e sanksionoi atë dhe disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe.

Të ngjashme