Der Standard: Borrellit mesa duket po ia shkruan Beogradi postimet në Twitter

Prishtinë | 15 Tet 2021 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Gazeta austriake në një koment për zhvillimet e fundit në Kosovë, ka shkruar edhe për aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, ku ka përmendur reagimin e shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrellit, i cili këtë operacion e quajti të njëanshëm.

Në këtë artikull, “Der Standard” shkruan se postimet në Twitter të Borrellit, po diktohen nga Beogradi.

“Përballë këtyre përpjekjeve të koordinuara për destabilizim, BE nuk reagon me refuzim të qartë, por po e përkeqëson situatën edhe më keq. Përfaqësuesi i jashtëm i BE -së Josep Borrell nuk e mbështeti sundimin e ligjit në Kosovë, por kritikoi policinë kosovare për gjoja “masa të pakoordinuara”. Me sa duket postimet e tij në Tëitter po ia dikton Beogradi dhe se ai po beson se është kompetent për mbrojtjen e kriminelëve. (Adelheid Wölfl, 15 tetor 2021)”.

Pas aksionit policor të 13 tetorit, Borrell shkroi në Twitter se “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”.  Për këtë deklaratë pati reagime të ashpra.

Policia e Kosovës zhvilloi aksionin policor kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Ky aksion është kundërshtuar nga serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, të cilët kanë protestuar dhe kanë ngritur barrikada.

Sipas autoriteteve, dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë janë lënduar në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq 5 persona janë dërguar sot në paraburgim.

Po ashtu, dhjetë persona të dyshuar për përfshirje me kontrabandë me mallra, janë shpallur në kërkim.


Të ngjashme