Deri në ora 11:00 kanë votuar 16% e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Prishtinë | 19 Maj 2019 | 11:38 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në ora 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 16.14 për qind e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë problem. Ajo ka bërë të ditur se në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit 2017 në këto zgjedhje kanë votuar 878 votues më shumë qytetarë.

Përderisa në vitin 2017 kishin votuar 8483 votues, të diellën votuan 9361 qytetarë deri në ora 11:00.

“Procesi në 44 qendra për katër komunat veriore ka vijuar pa problem. Deri më tani kanë votuar 9361 qytetarë me të drejtë vote nga 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm”.

“Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 483 votues apo 14.88%”.

“Sa i përket komunave deri në orën 11:00 në Leposaviq të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 3262 apo 17.96, në Zubin Potoko kanë votuar 1174 apo 13.76%, në Zveçan kanë votuar 1488 votues apo 16.12%, në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 3437 votues apo 15.58%”, ka thënë ajo.

Në konferencën e parë KQZ-ja ka njoftuar se të gjitha 87 vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk është raportuar për parregullësi.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 57 mijë e 983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Në këto zgjedhje në garë janë kandidatë nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në garë për kryetar të Leposaviqit janë: Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Në Zubin Potok garojnë: Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe.

Në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe.

Kurse, në Mitrovicën e Veriut garojnë, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

KQZ-ja ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 medie.

Gjithashtu KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, raporton EO.

Kryetarët e komunave veriore më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind.

Presidenti Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Të ngjashme