Dështimi i rrënimit të murit, mblidhen partitë opozitare

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 10:57 | Nga

Mosrespektimi i afatit për rrëzimin e murit në veri sipas Rezolutës të miratuar në Kuvendin e Kosovës, ka bërë që sot shefat e Grupeve Parlamentare të partive të mblidhen në një takim.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj i cili njëherësh ka qenë edhe iniciues i këtij takimi.

“Si iniciues të debatit dhe të rezolutës lidhur me murin ilegal atëherë e kemi parë të arsyeshëm, që pas kalimit të afatit që e ka përcaktuar Kuvendi i Kosovës, përmes rezolutës unanime për rrënimin e murit, që t’i ftojmë një takim të gjithë shefat e Grupeve Parlamentare që të diskutojmë çka më tutje”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.

Ai ka theksuar se qeveria nuk po gjen kohë të rrënojë murin e pa hezitim po shkon në Bruksel për t’ua shtrirë dorën atyre që e kanë ndërtuar murin dhe kjo sipas Lekajt është e papranueshme.

Takimi pritet të nisë në orën 11:00 në zyrën e Grupit Parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës.

Pjesë e këtij takimi do të jenë edhe dy partitë tjera opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, ndërkaq LDK dhe PDK kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij takimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme