Dështimi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nuk e çon vendin në zgjedhje

Prishtinë | 18 Kor 2017 | 19:01 | Nga

Dështimi eventual i zgjedhjes se kryetarit të Kuvendit nuk e çon vendin në zgjedhje të parakohshme, ka thënë Albert Krasniqi monitorues i punës se Kuvendit.

Kushtetuta e Kosovës, sipas tij, nuk e parasheh qe në rast se dështon zgjedhja e kryeparlamentarit, atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Megjithatë, nëse kjo ndodhë, atëherë ai thotë se vendi mund të hyjë në bllokadë institucionale, pasi i njëjti kandidat mund të kandidojë disa herë të zgjidhet në këtë post.

“Kandidati për kryetar të Kuvendit duhet të jetë konsensual apo i pranueshëm për deputetët në mënyre qe t’i merr votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post. Por, nëse dështon, atëherë i njëjti kandidat mund të kandidohet disa herë, sepse nuk ka kufizim”, ka thënë Krasniqi.

Posti i kryetarit të Kuvendit në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 i takon koalicionit apo partisë fituese të zgjedhjeve, e në rastin konkret ky post i takon koalicionit PAN.

E, në bazë të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor mes PDK-së AAK-së e Nismës, kryetari i organit më të lartë legjislativ në vend do t’i takojë PDK-së.

Ndryshe, ditë më parë nënkryetari i këtij subjekti, Rexhep Hoti ka deklaruar se kreu i PDK-së, Kadri Veseli do të jetë sërish kandidat për kryetar të Kuvendit.

Në anën tjetër, Vetëvendosje dhe LDK kanë paralajmëruar mundësinë e mosvotimit të Veselit për kryeparlamentar.

Të ngjashme