Dështon mbledhja e Kryesisë, në rend dite rrëzimi i Speciales

Prishtinë | 17 Jan 2018 | 12:15 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Edhe pse ishte parashikuar që të fillojë në orën 11 ajo filloi pak pas orës 12.

Mbledhja ka nisur me një orë vonesë pasi ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka takuar presidentin Hashim Thaçin dhe kreun e Kuvendit Kadri Veselin.

Paradite Delawie ka ritheksuar edhe një herë se zhbërja e Gjykatës Speciale e kthen Kosovën prapa.

Edhe pse nuk foli për vonesën e fillimit të mbledhjes Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e kryesisë që të marrin pjesë në mbledhje.

Në mbledhje ishin prezent Xhavit Haliti nga PDK, Avdullah Hoti e Kujtim Gashi nga LDK. Përderisa kanë munguar përfaqësuesit e VV-së, AAK-së, Nismës, Listës Serbe e 6+.

Në rend dite në këtë takim ishte dhe projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, që është inicuar me nënshkrimet e 43 deputetëve.

Kadri Veseli iu kërkon anëtarëve të Kryesisë të shkojnë në mbledhje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë thirrje të anëtarët e Kryesisë së Kuvendit që të marrin pjesë në mbledhje.

Pjesëmarrja, ka thënë ai, është e domosdoshme dhe se duhet të përfundohen temat që institucionet kanë para vetes.

“Ajo çka kemi nevojë është që kolegët e kryesisë të marrin pjesë në mbledhje, është e domosdoshme, për të gjitha temat dhe të jenë tema të përfunduara, sepse e kemi obligim edhe para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai, gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, e cila dështoi për mungesë kuorumi.

Kjo thirrje e Veselit vjen pasi sot në mbledhjen e Kryesisë munguan shumica e anëtarëve. Në mbledhje nuk ishin Aida Dërguti nga VV, Mybera Shinik nga 6 plus dhe Slavko Simiq nga Lista Serbe.

Mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit pritet të mbahet të hënën.

Të ngjashme