Dështon takimi i liderëve, Veseli thotë se dialogu është sakrificë dhe jo privilegj

Prishtinë | 23 Kor 2018 | 11:06 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka dështuar të mbahet takimi i liderëve të partive politike, i thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, për arritjen e koncensusit nacional për dialogun me Serbinë.

Takimi është mbajtur vetëm me lider të qeverisë ndërkaq partitë opozitare nuk kanë qenë të pranishëm në takim, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se kërkesa për një takim të tillë ka qenë nga opozita.

“Sot patëm një takim që ka të bëjë me arritjen e konsensusit të përbashkët për procesin e dialogut. Tradita e konsensusit të brendshëm ka qenë një traditë e mirë qe e kemi pasur, rezultatet janë historike. Takimin e sotëm kanë marr pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës, kanë qenë vetëm liderët e koalicionit qeveritar”.

“Kërkesa e sotshme për takim ka qenë më shumë kërkesë e opozitës që u është bërë përfaqësuesve të BE-së dhe ambasadorit të SHBA-së”, tha Veseli.

Sipas tij, ulja në tavolinë me Serbinë është sakrificë dhe jo privilegj.

“Me Serbinë të ulesh sot, nuk është privilegj, por sakrificë. Përfundimi i sherreve me Serbinë po bëhet për hir të fëmijëve tanë dhe për ta ruajtur agjendën tonë euroatlantine”, theksoi Veseli.

Kryeparlamentari Veseli, më tutje, deklaroi se një pjesë e opozitës ka pranuar të merr pjesë në dialog, pa përmendur emra.

“Unë jam shumë i sigurt se do të kemi një unitet të plotë në këtë proces, por ajo që dua të theksoj është se populizmi, nga e cili ka përfituar Vetëvendosje në Zgjedhjet Parlamentare, është dëshirë e disa partive. Në emër të patriotizmit po krijohet një populizëm, me qëllim të përfitimit”, deklaroi Veseli.

Veseli, gjithashtu, tha se Kosova është e shenjtë dhe sovraniteti i saj është i paprekshëm.

“Do të marrim pjesë në procesin e Dialogut. Ky ka qenë qëllimi i takimit, shteti i Kosovës është i shenjtë, sovraniteti i Kosovës është i pacenuar”, tha Veseli, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme